“Mirë se erdhët në shtëpi!” Begaj çel Samitin IV të Diasporës: Shiheni Shqipërinë si vendin ku mund të lini gjurmë

Nga A2 CNN
13 Prill 2026, 19:21 | Politikë

“Mirë se erdhët në shtëpi!” Begaj çel

“Mirë se erdhët në shtëpi!” Me këto fjalë presidenti i Republikës, Bajram Begaj, çeli Samitin IV të Diasporës i cili do të zhvillohet për tri ditë me radhë në Tiranë. Në fjalën përshëndetëse kreu i shtetit theksoi rolin vendimtar të shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimin ekonomik dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Në këtë samit ku familja shqiptare mblidhet sërish pas një rrugëtimi 1-vjeçar, një rrugëtim që dëshmon vullnetin e palëkundur për ta kthyer bashkëpunimin tonë në një projekt afatgjatë shtetëror. Samiti i Diasporës zhvillohet në një moment kyç: kurrë më parë kaq afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të këtij procesi. Në këtë rrugëtim, Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës si mendojmë për shtetin, për shoqërinë dhe për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar”, u shpreh Begaj.

Sipas tij, diaspora duhet të shihet jo vetëm si burim remitancash, por si partner strategjik për investime dhe zhvillim afatgjatë. Ai nënvizoi se, tashmë është koha për një marrëdhënie të re mes shtetit dhe diasporës, të bazuar në bashkëpunim konkret dhe projekte zhvillimi.

“Për dekada, Diaspora ka qenë mushkëri ekonomike. Falë jush, shumë familje janë mbështetur financiarisht dhe kanë ecur përpara, por mendoj se koha e transfertave vetëm për konsum po mbyllet. Synimi ynë është t’i kthejmë kursimet tuaja në kapitale zhvillimi, në investime reale në energji, turizëm, bujqësi, teknologji dhe ide të reja. Duam që Diaspora jonë të jetë partnere e së ardhmes së Shqipërisë, që të investoni mendjen dhe kapitalin këtu, në vendi tuaj. Sfida jonë e përbashkët nuk është vetëm të flasim për Diasporën, por ta bëjmë Diasporën pjesë organike të sistemit tonë. Tani është momenti ta kthejmë këtë pasuri në një strategji që jep rezultate konkrete. Ndaj, ju  ftoj me zemër të mos e shihni Shqipërinë vetëm si vendin nga keni ikur! Shiheni atë si vendin ku mund të lini gjurmë të përhershme. Ne nuk po ndërtojmë këtu një shtëpi të re vetëm për veten. Po ndërtojmë shtëpinë tonë të përbashkët".

Presidenti theksoi edhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe gjuhës shqipe tek brezat e rinj jashtë vendit.

“Ndërsa shohim drejt vitit 2030, objektivit strategjik të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, nuk duhet të harrojmë busullën tonë: identitetin tonë kombëtar. Bota arbëreshe është dëshmia e gjallë se identiteti shqiptar i mbijeton shekujve edhe kur është larg atdheut. Por sot sfidat janë të tjera. Prandaj, duhet të investojmë më shumë në gjuhën shqipe, në arsim, në rrjete profesionale dhe në qendra kulturore në botë, që brezat e rinj të mos e trashëgojnë Shqipërinë si një kujtim të largët, por si një lidhje të gjallë e të fortë. Ndaj, ju  ftoj me zemër të mos e shihni Shqipërinë vetëm si vendin nga keni ikur! Shiheni atë si vendin ku mund të lini gjurmë të përhershme. Ne nuk po ndërtojmë këtu një shtëpi të re vetëm për veten. Po ndërtojmë shtëpinë tonë të përbashkët”.

Në fjalën e tij, Begaj vuri në dukje se tashmë vota e diasporës është realitet, duke rritur përfaqësimin e shqiptarëve jashtë vendit në vendimmarrje.

“Tashmë e drejta e votës nuk është më një premtim. Është një realitet. Shqiptarët jashtë vendit votojnë dhe zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.

Shqipëria mirëpret edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, një ngjarje që deri më 15 prill bashkon në kryeqytet personalitete nga politika, ekonomia, shkenca dhe arti, me synimin për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve kudo në botë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos