“Shkarkoni ChatGPT”, Berisha, drejtuesve të degëve: Rrini më shumë online

Nga Anesti Barjamemaj
13 Prill 2026, 16:55 | Politikë

Sipas Sali Berishës, udhëkryqi në të cilin ndodhet Shqipëria e qeverisur nga Edi Rama nuk mund të zgjidhet pa punën dhe sakrificën e drejtuesve demokratë nga qendra në të gjitha degët e vendit. Ai kërkoi angazhim të fortë në terren dhe online përmes rrjeteve sociale dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.

Mes një procesi të brendshëm zgjedhor dhe në prag të protestës së 17 prillit, Sali Berisha u kërkoi kryetarëve të degëve të sakrifikojnë duke marrë pjesë në protesta dhe duke u dhënë një mesazh të qartë për kalimin e debateve të brendshme në plan të dytë dhe të përdorin energjinë vetëm kundër Edi Ramës.

“Tani kemi një problem dhe ky problem është Edi Rama, pushtet i krimit.”, tha Berisha.

Lideri demokrat deklaroi se aktiviteti politik në terren është i domosdoshëm për të gjithë demokratët që kanë poste drejtuese, por është i pamjaftueshëm nëse nuk shtojnë përdorimin e teknologjisë.

 “Duhet të vazhdojmë, duhet të insistojmë në dialog intensiv me çdo qytetar shqiptar. Ai ka të gjitha mjetet e propagandës në dorë. Ne kemi dy. Kemi takimin, kemi rrjetet sociale.”, tha Berisha.

Aktiviteti në terren duhet të jetë i fokusuar në organizimin e degëve dhe te anëtarësimet e reja, ndërsa online puna duhet të fokusohet te dialogu me qytetarët dhe debati me qeverinë.

 “Përdorimi i rrjeteve sociale do të kontrollohet, është detyrim.”, tha Berisha.

Në kohën që po jetojmë sot, inteligjenca artificiale po përparon çdo ditë, ndaj Berisha kërkon prej të tijve që të jenë një hap me kohën.

 “Duhet të shkarkoni të gjitha IA-të.”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos