
Kompania shqiptare Albgaz ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme prej 6 miliardë dollarësh me dy kompani të mëdha ndërkombëtare, amerikane dhe greke në fushën e energjisë.
Në qendër është projekt ndërkombëtar në fushën e gazit natyror që vjen nga SHBA-të, kthehet në gaz të lëngshëm për të furnizuar Europën Jugore.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e partneritetit me SHBA-të dhe ndikimin që ky bashkëpunim pritet të ketë në transformimin energjetik të vendit, raporton A2CNN.
Sipas kreut të qeverisë Shqipëria do të jetë një qendër energjetike dhe objektivi është që të arrihet brenda këtij mandati që Shqipëria të shndërrohet në eksportues neto të energjisë.
Në deklaratën për media që erdhi pas takimit në Kryeministri me Ambasadoren e SHBA në Greqi Kimberly Guilfoyle, kryeministri Rama tha: “Partneriteti ynë me SHBA-të që mbështetet në zotimin e përbashkët ndaj sigurisë energjetike dhe për një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë. Sot ne vijmë nga Veriu ku jo shumë kohë më parë prezantuam një investim me SHBA-të për energji nga era. Janë pjesë e një transformimi që po e nisim nga Vlora. Ajo çka sot është ende një aset që s’kemi mundur ta përdorim, do të shndërrohet në një aset kaq të vlefshëm saqë do t’i japë Shqipërisë pozitën e një qendre energjetike, që përfshin prodhimin e energjisë, infrastrukturën dhe tregjet rajonale. Partneriteti me SHBA-të ka natyrë gjithëpërfshirëse, sepse ai kombinon sigurinë afatgjatë në furnizime, zhvillimin e infrastrukturës kritike, ekspertizë në sektorin privat dhe një angazhim të përbashkët gjeopolitik. Këtu vijmë te personi që i detyrohem një shprehje të thellë mirënjohje, ambasadores që ka meritën të mos të na bëjë të ndihemi jetimë, pasi prej kohësh s’kemi ambasador. Faleminderit ambasadore Kimberly Guilfoyle për këtë përpjekje!”. (A2 Televizion)