Politologu Adnan Beqiri, i ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, ka bërë një krahasim të fortë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke theksuar se Kurti po shfaq ambicie për të përqendruar më shumë pushtet politik.
Sipas Beqirit, “është rritur oreksi i Albin Kurtit që të ketë sa më shumë fuqi politike, ndoshta të bëhet një Edi Rama i dytë”. Ai shton se një qasje e tillë mund të justifikohet nga vetë Kurti si një përpjekje për të çuar përpara proceset politike, por në thelb lidhet me dëshirën për më shumë kontroll institucional.
“Është rritur oreksi i Albin Kurtit që të ketë sa më shumë fuqi politike, ndoshta të bëhet një Edi Rama i dytë. Ai mund të thotë se e dua këtë ngaqë dua të çojë përpara proceset politike. Marrëdhënia e tyre është goxha e brishtë. Por është element i njohur në studimet politike, që politikanët duan t’i kenë duart e lira në tratativat e tyre politike. Kosova nuk po përfiton nga këto ngërçe politike. Kushtetuta e Kosovës për shumë aspekte, ligje, iniciativa kërkon 2/3 e deputetëve dhe siç dihet kjo gjë është paraqitur si bllokadë për shumë procese, dhe dëshira për të pasur këtë pushtet do të thotë lirim i duarve, President në kontroll të Kurtit, nominim i gjyqtarëve sipas dëshirave të partive politike, më konkretisht të Kurtit, dhe shumë nominime të tjera që sot Kurti është i kufizuar dhe s’mund t’i bëjë”, tha Beqiri. (A2 Televizion)