Mbetet “Non Grata”, Berisha humbet betejën në Britaninë e Madhe: Vendim për të goditur opozitën

Nga Anesti Barjamemaj
17 Qershor 2024, 15:10 | Politikë

Beteja ligjore e Sali Berishës kundër ‘Non Gratës’ nga Mbretëria e Bashkuar përfundon me humbje. Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit ka rrëzuar apelimin e kreut të Partisë Demokratike, i cili prej vitit 2022 kërkonte revokimin e vendimit për shpalljen e tij ‘Non Grata’. Në vendimin prej 24 faqesh, Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit, arsyeton se ankimi i bërë nga Berisha bazohet në një keqkuptimin dhe e rikujton atij se po kërkon një të drejtë që nuk e ka gëzuar ndonjëherë.

“Në këndvështrimin tonë, ky apelim bazohet në një keqkuptim. Dr. Berisha nuk ka gëzuar asnjëherë ndonjë të drejtë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë bazuar në ligjet e brendshme ashtu edhe në të drejtën ndërkombëtare. Kështu ka qenë edhe kur ai shërbente si kreu i Shtetit dhe kreu i Qeverisë dhe, aq më tepër, pas largimit nga këto funksione”, thuhet në reagimin nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit.

Në vendim, arsyetohet gjithashtu se Britania e Madhe si një vend sovran mund të përcaktojë për këdo ndalimin e hyrjes në territorin e saj.

“Sa i përket të drejtës ndërkombëtare, vendimi për ta pranuar apo jo atë në Mbretërinë e Bashkuar, është ushtrim i të drejtës sovrane të Mbretërisë së Bashkuar për të kontrolluar hyrjet në territoritorin e vet. Në këndvështrimin tonë, vendimi për të përjashtuar Dr.Berishën ishte gjithashtu, në terma të së drejtës ndërkombëtare, ushtrim ekuivalent i të drejtës sovrane të MB për të kontrolluar hyrjet në territorin e vet”, vijon deklarata.

Pas vendimit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit të Emigracionit, Berisha reagoi duke e konsideruar atë një proces jo të drejtë. Në një reagim nga arresti shtëpiak, ku ndodhet prej gati 6 muajsh, lideri i demokratëve thekson ku vendim është përpjekje për goditjen e opozitës dhe jo atij personalisht.

“Të thuash se po lufton krimin e organizuar pse një militant i panjohur goditi me shkelm një derë dhe po ndëshkon liderin e opozitës është përpjekje mjerane për të mbajtur në pushtet korrupsionin dhe krimin e organizuar ndërkombëtar. [...] Rastet e paraqitura janë tregues që nuk ka asnjë provë apo fakt për asnjë veprim të paligjshëm nga lideri i opozitës por duken qartë se janë përpjekje për të ndaluar opozitën të sfidojë pushtetin e korruptuar, që eksporton krim të organizuar por që pranon të marrë refugjatë sipas dëshirës së kërkuesve/lobuesve”, shkruan Berisha.

Ai pretendon se trupi gjykues nuk ka marrë parasysh asnjë prej provave të paraqitura nga avokatët e tij, por shton se nuk ka vërtetuar as pretendimet e “Home Office” në të cilat mbështetej shpallja e tij “Non Grata”.

Sali Berisha u shpall “Non Grata” nga Britania e Madhe në korrik të vitit 2022, gati një vit pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin marrë të njëjtin vendim kundër tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos