Mesazhi i presidentit për Kuvendin, Begaj kërkon dialog për reformat dhe mbështetje për drejtësinë

Nga Fjorela Beleshi
19 Janar 2026, 15:06 | Politikë

Në nisje të sesionit parlamentar, në një kontekst të polarizuar politik, Presidenti Bajram Begaj i është drejtuar me një mesazh 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në mesazhin e tij, kryetari i shtetit u kërkon palëve në Kuvend që të gjejnë gjuhën e dialogut, duke u kujtuar se qytetarët duan më shumë zgjidhje sesa konflikte politike.

“Përafrimi i legjislacionit dhe plotësimi me prioritet i agjendës së Bashkimit Evropian nuk mund të ketë konkurrencë. Procesi parlamentar në këtë drejtim nuk garanton dot suksesin nëse vëmendja shpërqendrohet, nëse ligjërimi parlamentar humbet rrugën, nëse bashkëpunimi ngec, nëse debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar dhe nëse rezultatet vonojnë. Në rrugën drejt familjes evropiane nuk kemi kohë për të humbur dhe as energji për të shpërdoruar”.

Ashtu si mazhoranca qeverisëse, edhe Presidenti Bajram Begaj mendon se prioritet i këtij sesioni duhet të jetë miratimi i reformës zgjedhore me përfshirjen e të gjitha palëve.

“Në këtë sesion, reforma zgjedhore duhet të arrijë pikën kulmore. Kuadri ligjor zgjedhor duhet t’i nënshtrohet një reformimi tërësor, në një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare. Ndryshimet e vonuara të legjislacionit zgjedhor përbëjnë rrezik për standardin e zgjedhjeve”.

Bajram Begaj kërkon dialog edhe për një tjetër reformë të iniciuar nga socialistët, atë të ndarjes së re territoriale.

“Reforma administrative-territoriale përbën gjithashtu një gur kilometrik, i cili suksesin e ka të lidhur ngushtë me aftësinë e palëve për dialog konstruktiv dhe kompromis. Kjo reformë duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i qytetarëve”.

Në fund të mesazhit të tij, Presidenti tërheq vëmendjen e politikanëve që të mos anetomojnë drejtësinë, por të ndihen krenar kur ajo vepron kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai i bën thirrje gjithashtu Niko Peleshit që institucioni që drejton të jetë efikas në kontrollin parlamentar ndaj institucioneve të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos