“Duhet të mobilizohemi shpejt, ne duhet të kemi një plan veprimi me alternativa”.
Ishte kjo thirrja e Ilir Metës për gjithë faktorin opozitar, teksa pranoi se nevojitet dialog për t’u bashkuar. Që dialogu të ketë sukses, kreu i Partisë së Lirisë u ofrua për të qenë ndërmjetësi mes opozitarëve: “Partia e Lirisë është e gatshme të kontribuojë në konsolidimin e gjithë forcave opozitare, në një organizim konsensual dhe solid, për të përgatitur dhe paraqitur përpara shqiptarëve ofertën politike që do t’u kthejë atyre sovranitetin e zgjedhjes, do t’u kthejë qeverisjen e përkujdesur e llogaridhënëse, të kthejë të larguarit dhe të shpejtojë integrimin në Europë, duke fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
Nga mbledhja e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Meta për herë të parë propozoi që emri i kandidatit për Kryeministër nga radhët e opozitës mund të vijë dhe nga jashtë politikës: “Partia e Lirisë është e vendosur që në funksion të këtij qëllimi të mirëpresë çdo kontribut nga brenda dhe jashtë politikës që do t’i shërbejë një konsensusi, pjesëmarrje e përfaqësimi sa më të gjerë të forcave opozitare, duke filluar që nga votuesi i thjeshtë dhe deri në nivelin më të lartë të drejtimit të opozitës, nëpërmjet zgjedhjes së një kandidati për Kryeministër, që do të gëzonte një mbështetje sa më të gjerë politike dhe shoqërore”.
Në fjalën e tij para anëtarëve të Partisë së Lirisë, Meta deklaroi se drejtësia vepron me dirigjim nga mazhoranca: “Drejtësia e Re i merr direktivat nga tribunat e Kongreseve të Rilindjes”. Ndaj, denoncimet e faktuara dhe të paraqitura nga personat publikë dhe politikë nuk i merr në shqyrtim, për shpifjet e çdo ordineri të paguar nga Qeveria heton rrufeshëm. Kryetari i Partisë Demokratike, pa asnjë akuzë izolohet në arrest shtëpie, ndërsa të gjithë e dinë se destinacionin e Klubit Sportiv “Partizani” në kompleks ndërtimesh e firmosi Edi Rama”.
Sa i përket Reformës Zgjedhore, pohoi se opozita nuk lëviz nga pozicioni i saj për bashkëkryesimin e komisionit dhe ndryshimin e anëtarëve. (A2 Televizion)