Nga kaos politik Kuvendi i Shqipërisë kaloi në kaos aritmetik. Shkak u bë miratimi i rendit të ditës të seancës plenare, ndonëse në nisje të votimit u bë e qartë mungesa e kuorumit prej 71 deputetësh. Në sallë ishin vetëm 68kartonë jeshil, të pamjaftueshëm për të nisur këtë proces.
Rregullorja e Kuvendit sanksionon se kuorumi për çeljen e votimit është të paktën 71 deputetë, por nënkryetarja Ermonela Felaj duket se kishte numëruar edhe demokratët që ndonëse ishin në sallë, nuk u bënë pjesë e procedurës së votimit për prezencën.
Kjo kërkesë për të futur kartën mbarte një hile procedurale, pasi ajo aktivizon sistemin që përllogarit praninë e deputetit në sallë, teksa Rregullorja e bën të qartë se vetëm deputetët që votojnë mund të numërohen si prezentë. Kësisoj, opozita duket se vuri në vështirësi drejtuesen e seancës e cila gjatë gjithë procesit të votimit, nuk pranoi të deklaronte me sa vota po miratoheshin projektligjet.
68 deputetët që deklaruan pjesëmarrjen në sallë nuk ishin të gjithë socialistë. Dy ishin të aleatit PSD ndërsa dy të PDIU-së, forcë politike që po jep mesazhe animi drejt shumicës. Ndërsa në radhët e opozitës u pa një unifikim qëndrimi, ku deputetët e Lulzim Bashës nuk pranuan të përllogariteshin si pjesëmarrës në votim, duke e lënë numrin e deputetëve pjesëmarrës poshtë kufirit të 71 kartonëve.
Në mesin e kaosit, lajm bëri Elisa Spiropali. Ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin ftoi opozitën në bisedime për të rikthyer normalitetin në Kuvend, ndonëse takimet me dyer të mbyllura ndërmjet eksponentëve të të dyja palëve nuk kanë munguar.
Jashtë sallës, Gazmend Bardhi kërkoi nga Presidenti moslegjitimimin e procedurës së votimit të ndjekur nga maxhoranca. Me këtë thirrje demokratët u larguan nga parlamenti duke marrë 14 ditë kohë për të negociuar normalizimin e situatës pasi java që vjen nuk ka të parashikuar një seancë parlamentare. (A2 Televizion)