
Ish-drejtuesi i Departamentit Brain Gain në Partinë Demokratike, Andi Mustafaj, është shprehur se nëse do të punonin të gjithë në PD sa 1/10 e asaj që punon Sali Berisha, kjo parti nuk do të ishte në këtë gjendje.
Komentet Mustafaj i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se e kishte ndjekur nga afër Berishën në fushatë dhe e kishte parë punën e tij.
Ai shtoi gjithashtu se ishte kundër zërave që thoshin se nëse Berisha largohet nga PD, gjithçka do të përmirësohej në mënyrë të menjëhershme.
Mustafaj shtoi se nuk është e nevojshme të të japin një karrige, në mënyrë që të fillosh dhe të bësh politikë.
“Unë e kam ndjekur zotin Berisha në fushatë dhe nëse do punonin të tjerët 1/10 e tij sa punon ai, partia nuk do të ishte në këtë gjendje. Berisha duhet t’i kërkojë llogari të tjerëve. Ku e dini ju që nuk u kërkon llogari? Unë jam kundër këngës së sirenave të kësaj ideje se nëse ikën zoti Berisha do na përmirësohet jeta në mënyrë të menjëhershme. A jam i ri unë, po pse po nuk më dhanë karrige do të thotë se nuk më japin mundësi? Unë politikën po e bëj në mënyrën time”, tha mes të tjerash Mustafaj. (A2 Televizion)