Ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj mendon që Shqipëria po “tërhiqet prej hunde” drejt BE-së, për arsye gjeopolitike, dhe jo për merita të qeverisë Rama.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN Alibeaj theksoi se është pro integrimit, por në Shqipëri nuk ka shtet të së drejtës dhe ka pasur përpjekje nga kryeministri për t’i prerë këmbët SPAK-ut.
“Unë jam për integrimin, por s’e fyej inteligjencën. Jam për të qenë europian, por jo europian idiot se unë e kuptoj se çfarë ndodh në Shqipërinë e Ramës. Sot nuk ke shtet të së drejtës, nuk ke një segment të drejtësisë që s’është i sulmuar nga e gjithë kasta politike. Shumica po bën një sulm total dhe të strukturuar, me mos heqje imunitetesh që është hap mbrapa. Me një kryeministër që ka ndërmarrë iniciativë ligjore për t’i prerë këmbët SPAK-ut, jo vetëm është hap mbrapa, por sulm frontal. Jam për integrimin, por s’po shkojmë vet atje, po na marrin prej hunde, po na fusin aty vetëm për arsye gjeopolitike, asgjë më shumë dhe me probleme madje. Nuk gjej meritë të qeverisë”, tha Alibeaj. (A2 Televizion)