
Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se integrimi në BE është prioritet për opozitën, por vuri në dukje se Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë, shkruan A2CNN.
Deklarata e Berishës u bë në aktivitetin e organizuar nga LDGSH dhe Jarl Hjalmarson: “Gratë politikane të rajonit, Suedisë dhe EPP-së bashkë për Integrimin”.
Ndër të tjera kreu i PD vuri në dukje se në zgjedhjet e 11 majit u zhduk ose u zbeh kufiri mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake.
“Integrimi në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike është prioriteti kryesor. Sepse ne besojmë se një e ardhme në BE do të thotë më shumë liri, më shumë mirëqenie dhe më shumë siguri për qytetarët shqiptarë. Kjo është arsyeja pse për partinë tonë ky është prioriteti kryesor i programit.
Ne besojmë se ky proces duhet të bazohet në meritë. Vetëm një proces i bazuar në meritë u garanton qytetarëve tanë liritë dhe të drejtat e njeriut, një drejtësi të pavarur, një ekonomi funksionale tregu dhe ‘acquis communautaire’ për vendin. Shqipëria sot ndodhet në një moment shumë të veçantë. Pak muaj më parë, V-Dem e klasifikoi Shqipërinë si një autokraci elektorale”, tha Berisha.
“Në fakt, autokracitë elektorale janë diktatura autokratike në kuptimin që ato e pranojnë pluralizmin, por e shtypin atë. Nëse diktaturat totalitare nuk e pranojnë pluralizmin, nuk e lejojnë fare ose krijojnë një pluralizëm të rremë, siç bëri Tito gjatë sundimit të tij dhe siç e kopjoi Ramiz Alia në vitet e fundit të diktaturës, diktaturat autokratike, ose të quajtura autokraci elektorale, shkatërrojnë mekanizmin më themelor të një shoqërie demokratike, që janë zgjedhjet e lira.
Nëse shikoni zgjedhjet e 11 majit të kaluar në Shqipëri, do të gjeni se ato u karakterizuan si zgjedhje ku kufiri mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake ishte zbehur ose zhdukur. Kjo do të thotë zgjedhje që u zhvilluan në një shtet-parti, në një model të partisë-shtet. Dhe këto nuk do të konsiderohen kurrë zgjedhje të mirëfillta. Ky është një problem shumë themelor i autokracisë në Shqipëri”, vijoi kryedemokrati. (A2 Televizion)