Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së tij të mbajtur sot në Kuvend foli për mungesë transparence dhe censurë me atë që po ndodh me licensimin e bankës së parë digjitale në Shqipëri dhe rajon, “Jet Bank”, shkruan A2CNN.
Ai bën me dije se i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë informacion për aksionerët dhe burimin e kapitalit të depozituar. Një prej pyetjeve të deputetit për Bankën Qendrore është “nëse shtetasi Idan Avishai ka qenë i punësuar në kompani që ofrojnë shërbime forex apo jo”.
Sipas Këlliçit, paratë e shqiptarëve janë sot në duart e një individi për të cilin dihet vetëm se ka qenë drejtor marketingu në një kompani bixhozi, e cila nga të dhënat paraprake është mbyllur nga autoritetet Izraelite për shkelje të ligjit.Po ashtu sipas deputetit ky shtetas është marre me kompani Forex-i, ose portofole instrumentash financiare CFD.
"Sot që flasim, paratë e shqiptarëve janë në duart e një individi për të cilin dihet vetëm se ka qenë drejtor marketingu në një kompani Gaming (thënë shqip bixhozi), e cila nga të dhënat paraprake është mbyllur nga autoritetet Izraelite për shkelje të ligjit, e më pas ky shtetas është marre me kompani Forex-i, ose portofole instrumentash financiare CFD, të cilat për tua bërë të qartë, janë instrumente financiare derivative që u lejojnë tregtarëve të spekulojnë mbi lëvizjet e çmimeve të aktiveve të ndryshme", shprehet deputeti i PD.
“Pra sot, pronari i bankës së parë digjitale në Shqipëri, pa sportele fizike, e me ofruesin e shërbimeve të regjistruar në DURANA Tech Park, është një individ që paratë i bën si spekulant. Të paktën këto informacione jepen në disa platforma dhe prandaj i kam kërkuar Bankës Qëndrore të bëjë transparencën e duhur”, vijon Këlliçi.
Deputeti bën me dije se nga e hëna një grup deputetësh të opozitës do t’i drejtohen me disa kërkesa për informacion BSH-së dhe AMF-së.
“Ne vijim do të kërkojmë dhe interpelanca urgjente me drejtuesit e këtyre institucioneve, sepse kjo nuk është një betejë politike siç shprehen institucionet lart e poshtë, as çështje pazari siç duan ta shesin llumë-mediat, apo të paguarit online, apo siç mund të shprehehen informalisht drejtuesit e kësaj banke. Ky është detyrim moral dhe ligjor i çdo deputeti të mandatuar nga shqiptarët, për ti shërbyer votuesve prej të cilëve ka marrë votëbesimin, duke mos lejuar abuzimin me kursimet apo të ardhmen e tyre”, vijon deputeti demokrat. (A2 Televizion)