Nderime shtetërore për Servet Pëllumbin, përcillet për në banesën e fundit ish-kryetari i Kuvendit

Nga Ervin Koçi
6 Maj 2026, 15:19 | Politikë

Servet Pëllumbi u përcoll për në banesën e fundit. Ceremoniali shtetëror u kujdes për nderimet e fundit, ndërsa personalitetet e larta shtetërore shkuan për të bërë homazhe. Protokolli shtetëror kishte parashikuar tre fjalime në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, ku fjalët më të ndjera i takuan djalit të tij, ish-deputetit Arben Pëllumbi.

“Sot dua të them me krenari se jam djali i tij, krenar për familjen që ai ndërtoi, për vlerat që na la dhe për dashurinë që na dhuroi pa kushte. Ai do të jetojë gjithmonë tek ne, në mënyrën si jetojmë, si sillemi dhe si do ta duam njëri-tjetrin. Largimi i tij ka lënë një boshllëk të madh, por gjithashtu ka lënë edhe një dritë të fortë: shembullin e jetës së tij. Kjo dritë do të vazhdojë të na udhëheqë”, u shpreh ai, përcjell A2 CNN.

Aktiviteti i tij politik në Partinë Socialiste nisi me ndryshimin e sistemit në Shqipëri dhe bashkudhëtari i tij, Namik Dokle, foli për vlerat që ai përcolli në vitet e vështira të vendit.

“Një jetë e tërë njerëzore dhe politike derdhet në ekranet e kujtesës, që nga dita e parë e themelimit të Partisë Socialiste, në betejat e vështira opozitare, në udhët dhe rrëpirat e demokracisë së brishtë, në mundimet e ndërtimit të një shoqërie normale, me njerëzit dhe për njerëzit. Dhe gjithmonë ai ishte aty, aty ku duhej më shumë mençuri, ku duhej më shumë besim, më shumë kurajë, më shumë largpamësi. Është për këtë arsye që të gjithë e quajtën, e njohën dhe e pranuan si profesorin e socialistëve”, tha Dokle.

Edi Rama kujtoi kohën kur Servet Pëllumbi i kishte qëndruar pranë në momente të vështira politike. “Kam njohur një njeri shumë progresist, një njeri shumë dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe dhe një njeri solidar me mua në momente të vështira, i cili befas shfaqej në ekranin e celularit tim, në mënyrë të papritur, duke më dërguar fjalë inkurajuese”, tha Kryeministri.

Pas fjalëve, radha i erdhi lamtumirës së fundit, ku varrimi u bë në një ceremoni private, në praninë e familjarëve të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos