Tubimi i së premtes, Berisha mesazh deputetëve: Punoni çdo minutë

Nga Anesti Barjamemaj
6 Maj 2026, 14:57 | Politikë

Sali Berisha kërkoi më shumë angazhim nga deputetët për protestën e 8 Majit. Në mbledhjen e grupit parlamentar, lideri demokrat u tha të tijve se tubimi i së premtes është ngjarje e rëndësishme jo vetëm për opozitën por edhe për vendin.

“U bëj thirrje që çdo minutë, çdo orë t’ia kushtojmë përgatitjes së këtij akti të kryengritjes paqësore të 8 majit, si mesazhi më i rëndësishëm që ne u përcjellim shqiptarëve në kushtet kur përpiqen me çdo mjetet t’i dekurajojnë”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Pavarësisht se komentin e tij të parë për raportin e Parlamentit Evropian e dha një ditë më parë nga konferenca për mediat, Berisha i bëri një analizë të gjithë dokumentit që e kishte lexuar në 24 orët e fundit.

“Ky raport i shkëlqyer nuk është meritë e jona, ne kemi bërë punën tonë, por ai është meritë e atyre burrave, grave, që erdhën në mision me vlerësimin më serioz për gjendjen në Shqipëri. Ne këtë raport do ta kemi program pune”, shtoi Berisha.

Lideri opozitar theksoi sërish se mbështesin integrimin e Shqipërisë në BE, por avancimi duhet të bëhet vetëm në meritë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos