"Të vazhdojmë betejën për çlirimin e vendit nga ky pushtues i egër", Berisha: Të frymëzuar nga prijësi ynë i përjetshëm Skënderbeu

Nga A2 CNN
6 Maj 2026, 12:45 | Politikë

"Të vazhdojmë betejën për çlirimin e vendit nga

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Kruja ku u zhvillua aktiviteti “Zanafilla e Kombit”, një ceremoni përkujtimore me rastin e datëlindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, deklaroi se "të frymëzuar nga prijësi ynë i përjetshëm, të vazhdojmë këtë betejë gjer në çlirimin e plotë, gjer në shpëtimin e plotë të Shqipërisë".

"Nderimi i Skënderbeut për çdo shqiptar të vërtetë është detyrim. Ka edhe detyrime dhe përgjegjësi. Miq, po ta përmbledhim me dy fjalë amanetin e prijësit tonë të pavdekshëm, ai është ky për shqiptarin: kurrë mos u dorëzo! Ky është frymëzimi i përjetshëm për të gjithë ata që i thonë vetes shqiptar. Ndaj dhe të vazhdojmë ne këtë betejë kundër këtij pushtuesi të egër që ka vendosur mbi shqiptarët një sistem shfrytëzimi kolonial duke vjedhur pasuritë e tyre, duke vjedhur fondet e tyre, duke poshtëruar gjysmën e kombit. T’i japim përgjigjen që meriton", tha Berisha, shkruan A2.

"Çfarë ishte Skënderbeu? Mbrojtësi i qytetërimit perëndimor. Po të lexoni raportin e djeshëm në Parlamentin Europian, Ballabani duket lule në krahasim me Edi Ramën me atë që i ka bërë Shqipërisë, me largimin që po i bën nga BE. E gjitha kjo për vjedhjet që ka bërë. Ndaj dhe të frymëzuar nga prijësi ynë i përjetshëm, të vazhdojmë këtë betejë gjer në çlirimin e plotë, gjer në shpëtimin e plotë të Shqipërisë, gjersa të bëjmë qytetarët shqiptarë të liri ashtu si prijësi i tyre i përjetshëm i tyre, Skënderbeu. Lavdi Skënderbeut, veprës së pavdekshme të tij. Lavdi krutanëve dhe krutaneve që shkruan faqet më të ndritura të historisë kombëtare nën udhëheqjen e tij dhe që vazhdojnë të qëndrojnë në krye të përpjekjeve të opozitës për liri, për dinjitet, për votën e lirë, për të ardhmen e shqiptarëve në Europë", shtoi kreu demokrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos