Kryeministri Edi Rama e nis fjalën e tij në podkastin “Flasim” me ndryshimet në qeveri të prezantuara në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist. Sipas tij ndryshimet ishin të parashikuara në kuadër të një qasjeje të re për funksionimin e skuadrës qeveritare. Megjithatë, ai theksoi se në rrethana të tjera, për shkak të rezultateve të jashtëzakonshme në punë, Belinda Balluku, nuk do të ishte larguar nga detyra.
“Unë ndava me deputetet dhe deputetët edhe planin e ndryshimeve në qeveri, të cilat janë ndryshime që shkojnë në atë që unë e kam konsideruar si një qasje e re në këtë aspekt dhe për të cilën kam folur, qysh në fjalën e drejtuar Asamblesë Kombëtare në krye të punëve të këtij mandati, duke bërë edhe krahasimin, mes ndryshimeve në një skuadër futbolli me ato në një skuadër basketbolli. Kështu që, në këtë aspekt ndryshimet ishin të parapara, por natyrisht që nëse rrethanat do të kishin qenë të ndryshme, nuk do të kishte ndryshuar për rezultatet e jashtëzakonshme në punë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë që aktualisht në bazë të mbledhjes së zgjeruar të grupit dhe të planit të ri të kompozimit të qeverisë, është ish- Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se do të flasë më gjerësisht për këtë çështje pasi të ketë lexuar raportin e Këshillit të Mandateve.
“Por gjithsesi për këtë temë, fola pak në mbledhjen e grupit dhe rezervova dhe më mbetet e rezervuar e drejta që të flas në mënyrë më shteruese, pasi të kem lexuar edhe raportin e Këshillit të Mandateve”.
Rama theksoi se gjatë mbledhjes u diskutua gjerësisht mbi ecurinë e punës në disa sektorë, ndërsa ministrat raportuan për performancën e tyre. Ai foli gjithashtu për raportet mes politikës dhe drejtësisë, duke theksuar se ndonëse janë arritur rezultate pozitive, mbeten ende çështje që kërkojnë adresim.
(A2 Televizion)