Ish-vila e Enver Hoxhës në flakë, Bardhi tregon pse u sulmua godina me molotovë

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2026, 21:10 | Politikë

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u pyet nga gazetarët për arsyet përse u sulmua me molotovë nga protestuesit ish-vila e diktatorit Enver Hoxha.

Bardhi tha se godina shërben si vilë ku Rama mbyll pazaret e tij me krimin dhe pazaret e tij korruptive, si dhe është simbol i diktaturës.

Së pari ajo shërben si një vilë ku Edi Rama mbyll pazaret e tij me krimin dhe pazaret e tij korruptive. Është padiskutim një simbol i diktaturës dhe sigurisht revolta e qytetarëve, kur shikojnë nuanca të atij regjimi të përsëriten 35 vite pas rënies së atij regjimi, është gjeja më normale të ketë revoltë. E rëndësishme është që s’ka asnjë person të lënduar, përveç protestuesit. Ata janë sulmuar në mënyrë të paprecedentë nga policia me gaz dhe ujëhedhës”, u shpreh Bardhi për mediat.

Protestuesit e opozitës sulmuan më herën ish-vilën e diktatorit me breshëri molotovësh, 54 të tillë, ndërkohë që zjarri në godinë është shuar brenda pak minutash. 

A2CNN raporton se gjatë sulmit me molotov ka pasur njerëz brenda vilës. Raportohet se ata janë larguar nga kati i parë i objektit drejt zonave më të sigurta në vilë. Sulmi te ish-vila e diktatorit duket se e ka kapur të papërgatitur Policinë e Shtetit. Megjithatë reagimi i efektivëve nuk mungoi, ku Forcat Speciale shpërndanë turmën përmes një autoboti me ujë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos