
Ministrja e Brendshme në detyrë Albana Koçiu ka reaguar sërish për protestën e sotshme të opozitës, duke theksuar se kemi të bëjmë me një sulm të hapur ndaj stablitetit të vendit. Koçiu vë në dukje se “u vërtetua se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare”.
Sipas ministres synim ka qenë “sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës".
“Maskat ranë përfundimisht. Sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale. Ajo që pamë në rrugët e Tiranës nuk ishte një protestë demokratike, por një shfaqje e pastër e një sjelljeje antikombëtare dhe anti-shqiptare, ku interesi personal i një individi dhe i familjes së tij vendoset mbi qetësinë dhe sigurinë e një populli të tërë. Ky nuk është më aksion politik, por një sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit”, tha ministrja e Brendshme në detyrë.
“Shqipëria, qytetarët e këtij vendi dhe jeta e përditshme e këtij kombi nuk mund të mbeten peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë, që kërkojnë të shkaktojnë kaos dhe terror. Në çmendurinë e tyre, ata nuk kursyen as artin, duke goditur një rezidencë ku ndodheshin artistë të huaj, një akt që tregon degradimin e plotë të një lëvizjeje që nuk njeh asnjë vlerë njerëzore. Ky sulm ndaj interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë është i paprecedentë dhe nuk do të tolerohet. Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit”, shprehet Koçiu. (A2 Televizion)