
Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka zhvilluar një vizitë në Berlin, ku është takuar me znj. Patricia Lips, zëvendëskryetare e Grupit Parlamentar të CDU-së në Bundestag.
Në një postim në Facebook, ai bëri të ditur se takimi u zhvillua në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Ai gjithashtu foli për sfidat e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe për ndikimin negativ të një kulture politike që mbështet krimin, duke penguar progresin e vendit në rrugën drejt BE-së.
“Një diskutim i hapur mbi standardet që duhet të përmbushë Shqipëria në procesin e integrimit, ku lufta ndaj korrupsionit dhe zgjedhjet e ndershme qëndrojnë në themel të këtij procesi. Lufta kundër korrupsionit mbetet sfida kryesore që pengon avancimin real të vendit drejt Bashkimit Europian. Një kulturë politike që shndërrohet në mburojë për korrupsionin jo vetëm dëmton besimin e qytetarëve, por edhe bllokon progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit”, shkruan deputeti në postim.
Bardhi gjithashtu theksoi si të domosdoshëm veprimin konkret për përmirësimin e situatës në vend, duke mos mbetur vetëm në retorikë.
Në fund të postimit, ai vlerësoi se “Shqipëria nuk ka aleat më të çmuar në rrugën e saj sesa Gjermania”.
“Gjermania mbështet fuqishëm integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, bazuar në meritë dhe në standarde që synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Shqipëria nuk ka aleat më të çmuar në këtë rrugë sesa Gjermania. Faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme”!
(A2 Televizion)