Kryenegociatorja Majlinda Dhuka dha llogari para Kuvendit për procesin e negociatave me BE.
Për 31 kapituj, Shqipëria i ka marrë detyrat dhe kushtet nga Brukseli që duhet t’i plotësojë për t’i përmbyllur ato. Por, këto nuk janë të vetmet, pasi Shqipëria po pret kushtet e piketave të ndërmjetme për grupkapitullin 1, që ka të bëjë me drejtësinë.
Opozita ka ngritur dyshime që mazhoranca po fsheh faktin që vendet anëtare nuk po japin OK për shkak të vendimeve kundër drejtësisë.
Disa pyetje të demokratëve mbeten pa përgjigje publike, në disa raste për shkak të problemit të internetit në faqen e Kuvendit dhe disa të evituara nga vetë Dhuka.
Mosmiratimi i IBAR nga Këshilli i BE po mban peng nisjen e mbylljes së kapitujve, pavarësisht se kryenegociatorja mendon se brenda 2026 vendi mund të mbyllë 10 të tillë.
Drejtësia ka marrë vlerësime pozitive nga BE, por Dhuka tregoi dy sfidat kryesore të vendit tonë.
Majlinda Dhuka mendon që Shqipëria mund të anëtarësohet në tregun e përbashkët europian përpara anëtarësimit.
Deputeti socialist Erion Malaj bëri të njëjtën pyetje si në Bruksel: a do të arrihet objektivi i 2027? Përgjigjen ia dha kryetari i tij i grupit: “Në dhjetor të 2027”.
Kryenegociatorja nuk e mohoi që vetë BE është në diskutim për një reformim të mundshëm si të votës ashtu edhe të vetos. (A2 Televizion)