“Sofizëm ordiner”, ish-prokurori Beçi: Mazhoranca me artikulim skandaloz, mungesë profesionalizmi procedural

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2026, 21:56 | Politikë

Ish-prokurori Eugen Beçi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të përfaqësuesve të mazhorancës lidhur me masat e sigurisë dhe reformën në drejtësi, duke i cilësuar ato si populiste dhe në mungesë të theksuar profesionalizmi procedural. I ftuar në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli, Beçi u shpreh se pretendimet se “ka njerëz në burg pa vendim gjykate” janë të pavërteta dhe përbëjnë, sipas tij, “sofizëm ordiner”.

Ai theksoi se çdo person që ndodhet aktualisht në paraburgim është aty me vendim gjykate për caktimin e masës së sigurisë, vendime që në shumë raste janë lënë në fuqi edhe nga gjykatat më të larta. Sipas Beçit, të thuash se zyrtarë apo drejtues vendorë janë në burg pa vendim gjykate është një artikulim populist që synon të ndezë opinionin publik, shkruan A2 CNN.

Duke folur për reformën në drejtësi, ish-prokurori theksoi se ajo u ndërmor me premtimin për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, por sipas tij, kuadri procedural nuk u plotësua në mënyrë të mjaftueshme për të mbështetur këtë qëllim. Ai argumentoi se nëse lufta kundër korrupsionit merret seriozisht, duhet të hiqen çdo pengesë burokratike dhe formale që kufizon veprimtarinë e prokurorisë.

Beçi u ndal edhe te debati për imunitetin dhe ndryshimet e mundshme në Kodin e Procedurës Penale, duke theksuar se jo vetëm që disa nene nuk duhet të ndryshohen, por përkundrazi, duhet të parashikohet pezullimi automatik i çdo zyrtari publik në momentin që nis hetimi penal ndaj tij. Ai solli si analogji rastin e magjistratëve në Republikën e Shqipërisë, për të cilët ekzistojnë mekanizma të qartë pezullimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos