Një ditë pasi Kryesia vendosi të hapë garën për kryetar të Partisë Demokratike, Sali Berisha rikonfirmoi se do të jetë kandidat, gjatë një deklarate për A2CNN.
Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, u shpreh: “A mund të më thuash pak, kush të tha ty që jo njëherë? Si e bën këtë pyetje?”.
Pjesëmarrja e Berishës në garën për kryetar bie ndesh me nenin 46, pika 8, të statutit të paguar prej tij si “neni Basha”, që parashikon largimin automatik të kryetarit të partisë kur ai humbet në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë, kjo nuk e pengon kreun aktual të PD që të kërkojë firmosjen e një kontrate të re me demokratët edhe për katër vite të tjera.
Berisha shtoi: “Neni flet për zgjedhje, jo për farsë elektorale. Nëqoftëse ka një realitet absolut të padiskutueshëm, ai është se zgjedhjet ishin farsë elektorale. Pra, sa herë zgjedhjet humben kur ato janë normale, është detyrë e atij që udhëheq të largohet, të japë dorëheqjen. Farsa elektorale është tjetër; është detyrë të luftojë diktaturën, duhet të luftojë”.
Në Partinë Demokratike është ngritur një grup pune për ndryshime në statut, por Berisha pohoi se është kundër amendimit të “nenit Basha”. Ai deklaroi: “Ai nen nuk ka pse të pësojë asnjë ndryshim".
I pyetur nëse do të pranojë sugjerimin e grupit të punës për prekje të këtij neni, Berisha u shpreh se as dhjetë anëtarët e mandatuar nga Kryesia nuk kanë për qëllim të bëjnë ndryshime.
“Nuk besoj që sugjerohet ndonjë ndryshim, sepse ne jemi në të njëjtin koncept. Aty janë bërë propozime të tjera, kurse ky nen është shumë normal,” tha ai.
Një përgjigje kishte edhe për kritikët që e konsiderojnë pjesëmarrjen e tij në garë si fundin e Rithemelimit. “Këtë s’e kisha dëgjuar që po kandidoi rithemeluesi dhe rithemelimi vdes. Kjo qenka e bukur shumë,” tha Berisha. (A2 Televizion)