Protesta “mbërrin” në Procesin e Berlinit. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, dënoi revoltat e dhunshme dhe ndërhyrjet me forcë të tepruar të policisë në Europë, përfshirë Shqipëri.
Duke folur nga Mali i Zi në kuadër të Procesit të Berlinit, shefi i qeverisë gjermane theksoi se mesazhi i qartë i dalë nga protestat është: vazhdimi i procesit të zgjerimit dhe të sigurohet që qytetarët të përfitojnë prej tij.
“Më lejoni të jem shumë i drejtpërdrejtë për dy çështje. Së pari, kur përballemi me protesta, qoftë në Bashkimin Europian apo këtu në rajon, dhuna nuk duhet të jetë kurrë një alternativë për asnjërën palë. Së dyti, përmbushja e të gjitha këtyre objektivave është veçanërisht e vështirë kur mbetemi plotësisht peng të së kaluarës. Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk do të na çojnë drejt një Evrope më të sigurt, më të lirë dhe më të begatë. Historia nuk do t'i gjykojë me mirësi ata që përçajnë në këto kohë komplekse”, tha Merz, shkruan A2.
Sa i përket integrimit, kancelari Merz tha se Procesi i Berlinit ka bërë të mundur kthimin e tij në një rrugë pozitive, ndërsa konfirmoi se BE e ka bërë detyrën e saj, dhe se tani radha u takon vendeve kandidate që të kryejnë reformat e kërkuara. Ai përgëzoi eurokomisioneren Marta Kos për metodën e re të zgjerimit, ndërsa lëshoi këtë paralajmërim për integrimin gradual: “Dua të jem i qartë: edhe integrimi gradual bazohet në meritë. Ne, si Bashkim Europian, i kemi përmbushur detyrimet tona, por reformat dhe vullneti politik duhet të nisin nga ju”.
Marta Kos, Komisionere e BE për Zgjerimin, u shpreh: “Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për Ballkanin Perëndimor. Vendimtarë për Malin e Zi, që të kalojë vijën e finishit drejt Bashkimit Europian. Vendimtarë për Shqipërinë, që të ruajë ritmin në rrugën e saj drejt BE-së. Vendimtare do të jenë zgjedhjet në Serbi këtë fundjavë. Dhe një zgjedhje vendimtare për Kosovën, sa i përket shtetit të së drejtës dhe drejtësisë ndërkombëtare”.
Ndërkohë, Milojko Spajiç, kryeministër i Malit të Zi, theksoi: “Angazhimi i Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor ka mbështetur një premtim themelor europian se reforma, pajtimi dhe bashkëpunimi hapin rrugën drejt një të ardhmeje të përbashkët. Prania juaj e forcon këtë premtim. 12 vjet pas nisjes së tij, procesi i Berlinit çon përpara një ide që është në zemër të integrimit europian. Paqja e qëndrueshme rritet kur vendet ndërtojnë diçka së bashku”.
Kancelari gjerman kritikoi ashpër dhe Serbinë për nderimet e bëra me funeralin shtetëror për kriminelin e luftës, Ratko Mlladiç: “Në vitin 2008, në Londër, gjatë samitit të Procesit të Berlinit, ne e hodhëm poshtë së bashku përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t'i hedhim benzinë zjarrit, por të ecim përpara mbi bazën e vlerave europiane. Kjo vlen edhe për dialogun e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Për momentin, ky dialog po i pengon të gjithë, ndaj bëjmë thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim”.
Në këtë takim të Procesit të Berlinit, përveç kancelarit gjerman dhe mikpritësit malazez, morën pjesë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, eurokomisionerja e zgjerimit, Marta Kos, si dhe kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësues të Bosnje e Hercegovinës. (A2 Televizion)