“Irani është sponsor i terrorizmit”, Robelli: Ka pretendime se janë vrarë 30 mijë protestues

Nga A2 CNN
7 Prill 2026, 21:53 | Politikë

Gazetari Enver Robelli ka deklaruar në ''Off the Record'' nga Andrea Danglli, se ndërhyrjet ndërkombëtare dhe konfliktet aktuale nuk duhen krahasuar në mënyrë të thjeshtëzuar, duke theksuar se rasti i Kosovës dhe ai i Iranit janë thelbësisht të ndryshëm.

“Ekzistojnë dy rezoluta të OKB-së, 1160 dhe 1199, që e legjitimonin ndërhyrjen në Kosovë sipas kapitullit të shtatë,” tha Robelli, duke shtuar se mungesa e një vendimi final erdhi për shkak të bllokimit nga Rusia.

Ai theksoi se ndërhyrja në Iran është ndryshe, pasi sipas tij “ka ndodhur pa mobilizim të partnerëve ndërkombëtarë”, ndryshe nga Kosova apo edhe Iraku ku u krijuan koalicione të gjera.

Robelli u shpreh kritik ndaj regjimit iranian, duke e cilësuar atë si një faktor destabilizues në rajon. “Irani është një shtet sponsor i terrorizmit, që duke mbështetur Hamasin dhe Hizbullahun ka destabilizuar Gazën dhe Libanin,” deklaroi ai.

Sipas tij, regjimi në Teheran ka mashtruar vazhdimisht Perëndimin për programin bërthamor. “Nuk kanë qenë të sinqertë për pasurimin e uraniumit, ndërkohë që Perëndimi ishte i gatshëm për një marrëveshje për përdorim civil,” tha Robelli.

Ai ngriti edhe shqetësimin për situatën e brendshme në Iran: “Ka pretendime nga media serioze se vetëm në fund të dhjetorit dhe fillim të janarit janë vrarë rreth 30 mijë protestues.”

Në fund, Robelli theksoi kompleksitetin e situatës: “Çdo konflikt ka specifikat e veta dhe nuk duhet të analizohet bardh e zi,”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos