Kushtetuesja e ktheu për gjykim në Gjykatën e Lartë, avokati: Veliaj duhet të hetohet me “detyrim paraqitjeje”

Nga A2 CNN
25 Maj 2026, 20:44 | Politikë

Një vendim të pritshëm e ka cilësuar avokati Arbër Hoxha vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ktheu për rigjykim në Gjykatën e Lartë masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt. Në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai tha se pas këtij vendimi duhet të zëvendësohet masa e sigurimit ndaj kryebashkiakut Veliaj. Në këndvështrimin e tij avokati Hoxha thotë se masa më e përshtatshme tani për Veliajn është ajo e detyrimit të paraqitjes.

“Do të ishte spekulim nga ana ime që të thosha që automatikisht pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese Gjykata e Lartë do të prishë dhe do të ndryshojë masën e sigurimit, por sigurisht që në raport edhe me vendimmarrjen e vetë gjykatës së lartë, kolegji penal duhet të justifikojë dhe duhet të thotë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm tanimë, sepse nuk jemi më në fazën e hetimeve paraprake. Hetimet kanë përfunduar dhe duhet të thotë pse zoti Veliaj duhet të qëndrojmë në burg, nëse masa e sigurimit nuk zëvendësohet. Për mua duhet të zëvendësohet masa e zotit Veliaj. Bëhet fjalë për masën e sigurimit, arrest në shtëpi ose detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore. Për mua masa më e përshtatshme tanë do të ishte detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore, sepse zoti Veliaj është kryetar i bashkisë së Tiranës”, tha avokati në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij nëse masa e sigurimit zëvendësohet , Veliaj do të mund të ushtrojë plotësisht funksionin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

“Ai i ka të kthyera funksionet edhe pse është me masë sigurimi arrest me burg. Praktikisht vendimmarrja e tij është e cenuar dhe është e deleguar, por në qoftë se do t'i zëvendësohet masa e sigurimit, patjetër që ai kthehet plotësisht në detyrë ashtu siç duhet të jetë në një vend të qytetëruar”.

Avokati Hoxha thekson gjithashtu se duhet të zëvendësohet masa e sigurimit edhe ndaj ish-presidentit Meta.

“Besoj edhe zoti Meta duhet t'i zëvendësohet masa e sigurimit për aq kohë sa hetimet janë përfunduar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos