“Po monitorohen nga ndërkombëtarët” Kalaja: Brenda SPAK-ut ka prokurorë të korruptuar dhe të lidhur me krimin

Nga A2 CNN
25 Maj 2026, 21:05 | Politikë

Brenda SPAK-ut ka prokurorë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. Këtë akuzë ngriti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN Aulon Kalaja, për të cilën thotë se do të ketë përgjigje shumë të shpejtë edhe nga hetimet e ndërkombëtarëve brenda këtij institucioni.

"Unë e kam mbështetur SPAK-un dhe e kam goditur shumë fort momentin që nuk ka bërë punë të mira. Se aty ke prokurorë të korruptuar që janë brenda SPAK-ut edhe tani që po flasim aktualisht ke prokurorë që janë të lidhur edhe me krimin e organizuar brenda aty. Siç ke dhe prokurorë shumë të mirë. Janë deklarata të cilat do marrin përgjigje besoj shumë shpejt. Ne kemi disa hetime po edhe nga ndërkombëtarët që janë brenda SPAK-ut, sepse ata i kanë domethënë ata monitorojnë aty. Janë njerëz të cilët kanë praninë e vetë. Sidomos kur bëhet fjalë për çështje që vijnë nga DEA apo agjenci të tjera që kanë interesa të caktuara me shtete të caktuara. Ka dhe prokurorë shumë të mirë të cilët janë të kualifikuar, janë të ndershëm, janë të pakorruptueshëm dhe që unë i kam përshëndetur gjithmonë”, tha Kalaja në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Në lidhje me vendimi e fundit të Gjykatës Kushtetuese e cila ktheu për gjykim në Gjykatën e Lartë masën e sigurisë ndaj Veliajt, Kalaja tha se krijojnë një precedent që mund të çojë në zbutjen e masave të sigurisë për persona të akuzuar për korrupsion dhe abuzim me fondet publike.

"Çfarë mendoj unë për vendimin e Kushtetuteses në raport me Veliaj? Po unë mendoj që ishte një vendim i drejtë, lënia në fuqi si kryetar i bashkisë të zotit Veliaj, sepse u bë në një mënyrë të paligjshme shkarkimi i tij nga ana e këshillit Bashkiak dhe iniciativa e zotit Rama nuk e di kush e bëri atëherë dhe unë kam dalë publikisht. Nga ana tjetër pastaj çdo tentativë për t’i ikur faktit penal për të bërë akrobaci në raport me pislliqet që ai ka bërë, sigurisht që unë jam kundër. Po kjo është akrobaci ligjore se s'ka mënyrë tjetër. Skema e këtyre është e një niveli të padëgjuar më përpara. Nuk kishim dëgjuar ndonjëherë që një grup i bashkisë i prodhon vetë tenderat, i merr për vetë. Pra kjo ishte një skemë e padëgjuar. Këtë s'e kishte bërë as Rama. Kjo që prodhoi Bashkia e Tiranës do të shërbejë si një precedent për të  shpërbërë të gjithë korrupsionin apo krimin e organizuar ekonomik që po ndodh në Shqipëri. Është mesazh shumë i keq edhe për qytetarët që mendojnë majtas, sepse lufta kundër të korruptuarve në këtë rast merr një shuplakë shumë të fortë në rast se do t'i shkohet deri në fund këtij vendimi domethënë që ka marrë sot Kushtetuesja”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos