Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, është shprehur se nga SHBA nuk pritet të ketë ndonjë vendim për heqjen e ‘non gratës’ së kryedemokratit Sali Berisha, para zgjedhjeve të 11 majit.
Komentet Çipa i bëri në ‘Ditari’ me gazetarin Andi Nuraj në A2 CNN, ku tha se pavarësisht sesi po rrjedhin gjërat në SHBA, nuk duket se ka ndonjë indicie për t’i hequr ‘non gratën’ ish-kryeministrit.
Ai tha gjithashtu se shpallja ‘non grata’ e Berishës nga dy partnerë të rëndësishëm strategjikë si SHBA dhe Britania e Madhe, i kanë shkaktuar ish-kryeministrit një goditje në imazhin publik.
“Një vit është në disa procese hetimi të cilat edhe pse zyrtarisht nuk kanë avancuar dhe nuk kanë ndjekur afatet kohore, përsëri në statusin që ka nën hetim, është një proces që defacto i ka shkaktuar një goditje në imazhin publik, pse jo edhe në imazhin ndërkombëtar, për shkak edhe të asaj se ai u shpall nga 2 vendet më të rëndësishme të Aleancës strategjike shqiptare, përkatësisht SHBA dhe Britania e Madhe.
Pavarësisht sesi po rrjedhin gjërat dhe nga kontekstet që po krijohen, duke aluduar apo shpresuar edhe mundësinë e heqjes së non gratës nga SHBA, gjë që zyrtarisht si procedurë sipas të gjitha gjasave mbetet pas 11 majit dhe nuk ka ndonjë veprim të përshpejtuar apo indicie zyrtare nga institucionalizmi amerikan”, tha Çipa, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)