Gazetari Armir Shkurti është shprehur kundër protestave të opozitës me thirrjen “Rama ik”, duke argumentuar se ndryshimi i vetëm i kryeministrit nuk mjafton për të zgjidhur problemin e korrupsionit në Shqipëri.
Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai theksoi se nëse nuk ndryshohet sistemi, nuk ndërpritet korrupsioni. Sipas tij, nëse sistemi mbetet i pandryshuar, çdo drejtues i ri do të përballet me të njëjtën spirale korrupsioni.
Në qoftë se sistemi është ky që është dhe këtu nuk bie dakord me protestat “Rama ik” dhe nëse vjen Krishti kryeministër, sistemi ka për t’u korruptuar më shumë se Rama. Ne duhet të ndryshojmë krejt sistemin, jo kryeministrin. Rama ka korruptuar sistemin, sistemi ka korruptuar Ramën dhe është një spirale që vazhdon e rritet. Nëse nuk ndërpresim spiralen, jo Rama por të vijë kush të dojë kryeministër ose do ta zhdukë, ose do të korruptohet”, tha ai Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Duke e cilësuar Shqipërinë si një sistem të korruptuar për shkak të një sistemi absolut pushteti, ai tha se edhe nëse do të ndërhynin struktura ndërkombëtare si FBI, korrupsioni do të thellohej nëse nuk ndryshon sistemi.
Për gazetarin Shkurti, SPAK-u është institucioni më i sulmuar nga të gjitha palët, por sipas tij, mbetet një mekanizëm i mbështetur ndërkombëtarisht. Ai shtoi se reforma në drejtësi ka dështuar në shumë aspekte, megjithatë SPAK ka arritur një sukses të rëndësishëm: zhdukjen e perceptimit të pandëshkueshmërisë në vend.
“SPAK është sulmuar, është një ishull që nuk ka lidhje me realitetin shqiptar, është brenda sistemit shqiptar dhe më vjen mirë që e sulmojnë të gjithë, por SPAK-ut nuk ia ndjen. SPAK është mekanizëm ndërkombëtar i futur me dhunë në trupin e shoqërisë e politikës shqiptare. Reforma në drejtësi ka dështuar në kuptimin më tragjik të mundshëm, por nuk bën SPAK korrupsionin as nuk e ul SPAK-u”. (A2 Televizion)