"Korrupsioni në Shqipëri është sistem", gazetari: Ndërkombëtarët thanë që s’ka anëtarësim në BE

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2026, 21:08 | Politikë

Korrupsioni në Shqipëri është kthyer në sistem. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, gazetari Armir Shkurti, duke theksuar se mesazhet e fundit nga ndërkombëtarët tregojnë shqetësim për rritjen e korrupsionit dhe mungesën e progresit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas tij, një vend që thellon problemet me korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk mund të avancojë në procesin e integrimit europian.

“Ndërkombëtarët kanë thënë është rritur korrupsioni në Shqipëri. Do të thotë që Edi Rama të vetmen gjë që nuk ka detyrë të bëjë është të fusë Shqipërinë në BE. Pra e ka detyrë formale, por ka detyrë informale të atyre që e kanë sjellë dhe mbajnë pushtet të mos fusë Shqipërinë në BE, për shkak se tek ai kryqëzohet krimi i organizuar, korrupsioni dhe gjithçka tjetër. Korrupsioni është sistem sot në Shqipëri. Shqipëria është një sistem absolutisht i korruptuar siç ndodh në regjime totalitariste. mesazhi është i qartë: ju që doni të hyni në BE keni bërë përparim në rrugën tuaj drejt korrupsionit?” u shpreh Shkurti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij edhe mënyra e miratimit me urgjencë e disa ligjeve, si dhe debati i fundit për pagat në sistemin e drejtësisë, sipas tij, tregojnë për një përqendrim të pushtetit dhe mungesë transparence. Gazetari paralajmëroi se nesër ka gjasa të hyjë me urgjencë në parlament ligji i ri i AKSHI-t.

“Kalimi urgjent i ligjeve e gjithçka tjetër është që ky njeri ka marrë në krah si titanët, po mban botën. Nga ana tjetër faktet tregojnë që nuk mund të qaset Shqipëria kështu. Një vend i cili vazhdon të rrisë korrupsionin. Një vend i cili përmes lëvizjeve të fundit, po edhe mënyra e sjelljes me sistemin e drejtësisë duke filluar që te debati arrogant me pagat e duke vazhduar. Në të gjithë këtë lloj udhëtimi, kryeministri është duke u thelluar dhe persistuar në rrugëtimin e tij. Kujdes se ka shumë gjasa që nesër me urgjencë të hyjë në parlament ligji i ri i AKSHI-t”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos