Teksa sot në Uashington u zhvillua ceremonia zyrtare e Bordit të Paqes, ku morën pjesë Shqiëpria dhe Kosova, në studion e Off the Record në A2 CNN, u nxit debati në lidhje me mbështetjen e kësaj nisme nga opozita në parlament. Analisti Albatros Rexhaj pyeti ish-ministrin e jashtëm demokrat, Aldo Bumçi se pse opozita e mbështeti këtë nismë në Parlament.
Në përgjigje të tij, Bumçi u shpreh se opozita nuk ishte kundër nismës dhe se Shqipëria duhet të jetë pjesë e saj, por kritikoi mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën u votua në Kuvend.
“Kalimi në parlament ishte i panevojshëm me ato shpejtësi se nisma nuk ishte firmosur akoma në Davos. Nisma nuk është miratuar në kongresin amerikan. Si e miratonte? Po si mundesh ti të kalosh në Kuvend? Ne jemi gjithë të palët dakord. Por nuk është firmosur në Davos. Çfarë miraton? Nuk e ka miratuar vendi i parë. Ti atëherë çfarë miraton? E para. Kjo ishte jo serioze. Na bën qesharakë, të kalosh një nisëm që ende nuk është nënshkruar. Je qesharak sepse nisma duhet të kalohet nga vendi që e propozon dhe hapet për miratim nga vendet e tjera dhe jo ti ta miratosh pa u nënshkruar. Kur nuk e bën as Amerika vetë, ti çfarë miraton atëherë?", u shpreh Bumçi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai argumentoi se opozita do të dilte sikur ishte kundër nismës nëse nuk do ta votonte, ndërkohë që qëndrimi i saj ishte pro përfshirjes së Shqipërisë.
“Atëherë do dilnim sikur ishim kundër nismës. Ne nuk jemi kundër nismës. Edhe diçka tjetër për qëndrimin amerikan ka një qëndrim ndryshe. Pra Trumpi nuk ka ardhur me një agjendë thjesht të ndryshme kombëtare por këtë e ka shpalosur dhe ndërkombëtarisht”.
Bumçi foli edhe për ndryshimin e qasjes së administratës së Donald Trump ndaj Europës, duke përmendur deklaratat e zëvendëspresidentit JD Vance në Mynih për lirinë e shprehjes dhe përdorimin e proceseve gjyqësore ndaj kundërshtarëve politikë.
“Çfarë tha zëvendës presidenti Vance në Mynih që ngriti shumë reagime? Qëndrimet nuk kanë qenë vetëm të zëvendës së presidentit, janë të të gjithëve dhe të sekretarit të shtetit, por me një gjuhë tjetër që Europa ka armik vetveten dhe po shikojmë zhvillime që po cenojnë standardet e lirisë së fjalës. Ka censurë të lirisë së fjalës në Europë dhe kishte censurë me filtra ku ti etiketoheshe si ekstremist i djathtë edhe pa qenë i tillë vetëm që të mbyllet goja, përdorimin e proceseve gjyqësore kundër kundërshtarëve politikë dhe ky është një qëndrim i administratës Trump ndaj partnerëve europianë”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij, këto qëndrime lidhen edhe me situatën në Shqipëri, ku opozita akuzon qeverinë Rama për kontroll të medias dhe presion ndaj kundërshtarëve politikë.
“Dhe ky është një problem që ka Shqipëria. Në Shqipëri kontrollohet media. Kontrolli i medias dhe sulmi ndaj kundërshtarëve politikë, siç zoti Rama ngriti shembullin që Jack Smith prokurori që ngriti çështjen kundër zotit Thaçi, ishte i njëjti prokuror që ngriti çështjet ndaj presidentit Trump. Ai prokuror u emërua nga një administratë, ishte prokuror special dhe u ngrit kundër, u ngrit jo vetëm nga një prokuror, por nga katër pesë prokurorë me 92 akuza penale që mos lejonin presidentin aktual që të kandidonte. U përdor drejtësia në Amerikë kundër kundërshtarit politik. Çfarë ndodhi në Shqipëri? A u futën në burg? A u arrestuan gjithë liderët e opozitës? Është e njëjta histori”. (A2 Televizion)