Pjesëmarrja e Ramës në Bordin e Paqes, Aldo Bumçi: SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj tij, mesazhet vazhdojnë…

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2026, 21:18 | Politikë

Pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes nuk ndryshon realitetin e marrëdhënieve me SHBA-në. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ish-ministri i Jashtëm Aldo Bumçi, sipas të cilit kriza është mes Ramës dhe administratës amerikane, jo mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kriza në marrëdhëniet që ka Rama, jo Shqipëria, shqiptarët me Amerikën, kriza që ka Rama me amerikanët është publike, nuk është thashethem, apo informacion sekret, është konsumuar publikisht si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu dhe vetë nga zoti Rama me deklaratat e tij ndaj zotit ndaj presidentit Trump dhe Shteteve të Bashkuara dhe unë do ju jap shembujt. Ky është një qëndrim që ka ardhur si pasojë e një qëndrimi të ri amerikan”, deklaroi Bumçi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Bumçi theksoi se qëndrimet amerikane kanë qenë publike dhe lidhen me një politikë të re ndaj karteleve të drogës, të cilat SHBA i konsideron organizata terroriste. Ai përmendi deklaratat e ambasadës amerikane, ku thuhet se krimi i organizuar shqiptar është i lidhur me kartelet e Amerikës Latine dhe cenon sigurinë e zhvillimin ekonomik të vendit.

“Qëndrimi për drogën nuk lidhet me Shqipërinë, lidhet me një qëndrim të politikës amerikane ndaj karteleve të drogës që i quan organizatë terroriste. Pra, i shikon si një rrezik më i fortë sesa thjesht shpërndarës droge si organizata që shpërbëjnë shtetet dhe nxisin emigrimin masiv. Emigrimi masiv dhe droga janë në Amerikë problem madhor, kanë qenë çështje e fushatës dhe janë problem real. Dhe ajo që ndodhi me Venezuelën dhe goditjen e narkotrafikut duke hedhur në erë anije tregon vendosmërinë dhe lidhja e Shqipërisë me këtë situatë në Amerikë Latine. Ne kemi qëndrimin e ambasadës ku thotë krimi i organizuar shqiptar është i lidhur me kartelet e Amerikës Latine. Krimi i organizuar shqiptar cenon sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë. Ky është qëndrimi publik”, u shpreh Bumçi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij, mungesa e një urimi për qeverinë e re në Tiranë, ndryshe nga rasti i Albin Kurtit në Kosovë, tregon qartë rezervat e Uashingtonit.

“Ky qëndrim amerikan doli qartë që me zgjedhjet. Ne kemi një urim për zotin Kurti. Një urim i tillë po t'i marrësh dhe t'i krahasosh nuk është për zotin Rama dhe e kanë shpjeguar që kur nuk ka zgjedhje të lira ne nuk bëjmë një urim, siç ia bën Kosovës dhe deklarata e pavarësisë që është e paprecedent që kur uron ditëlindjen e një kombi i një shteti t'i përmendësh një shteti mik t'i përmendësh drogën dhe kartelet e drogës. Tani ka ndryshuar gjë me këtë vizitë? Ky është një tregues tjetër i hallit të madh ku është Edi Rama që ngriti të gjithë këtë zhurmë mediatike që një takim ku ne të gjithë biem dakort që Shqipëria duhet të ishte pjesë. Kosova po e po. Po dhe Shqipëria, se është në krizë dhe do të mbulojë këtë marrëdhënie të re që nuk është me administrata Biden që mbyllte sytë dhe nuk fliste për drogën”, vijoi ish-ministri në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ai argumentoi se Shqipëria, ndonëse anëtare e NATO, nuk është aktor kyç në çështjet e Lindjes së Mesme dhe se ftesa për samitin nuk ishte personale për Ramën, por për shtetin shqiptar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos