"Nuk e dija që ishte krijuar Kuvendi Qytetar", Binaj: Mu duk i stisur, protesta nuk ka kokë, politika po tenton ta përçajë

Nga A2 CNN
19 Korrik 2026, 14:13 | Politikë
 

"Nuk e dija që ishte krijuar Kuvendi Qytetar", Binaj: Mu duk i

Një nga qëndrestarët e protestës qytetare që vijon prej 50 ditësh në Bulevardin Dëshmorët e Kombit Florjan Binaj, deklaroi se nuk ishte në dijeni për mbledhjen e Kuvendit Qytetar. Në Ditarin e Fundjavës me Denisa Pashollin në A2 CNN ai tha se nuk e sheh atë si përfaqësues të protestës.

“Unë jo vetëm që s'isha i pranishëm, por nuk kisha dijeni fare që ka krijuar një kuvend. Absolutisht, (nuk isha informuar). Dje pashë ato pamjet të disa njerëzve që mu duk diçka e stisur, me thënë të drejtën. Mu duk diçka jo shumë përfaqësuese, sepse mendoj që në qoftë se do duhet të bëhet, duhen pyetur ata njerëzit atje në shesh, të gjithë njerëzit atje në shesh. Vetëm Armir Shkurtin njoha, arrita të dalloj aty dhe zotin Sazan Guri. Pra zotin Shkurti dhe zotin Guri. Pjesën tjetër nuk i njihja fare, nuk i kam parë”, u përgjigj Binaj.

Sipas tij ka një tentativë për përçarje nga brenda protestës që vjen nga politika për të zhbërë atë që ndodh në shesh.

“Përpjekja është nga politika pasi i harxhuan të gjithë fishekët e mundshëm me të cilët kanë vrarë çdo protestë që ka qenë më përpara qoftë e studentëve, qoftë e çmimeve, qoftë e shumë  gjërave. Pasi harxhuan këto fishekë të cilët dikur funksiononin, sot nuk funksionojnë më sepse maskat kanë rënë, sepse njerëzit e kanë dalluar tashmë kush është, për kë, kush punon, për kë dhe për çfarë. Këta tani po përpiqen ta çajnë nga brenda. Pra, të fusin filiza, të mbjellin një farë të keqe për ta përçarë nga brenda. Duke futur element radikalë, duke futur elementë problematikë, duke futur njerëz që hedhin fjalë për të provokuar njerëzit dhe padyshim do vinte dhe ky momenti që ne e prisnim dhe madje ka ardhur goxha vonë. Që këta do bënin çmos që të krijonin një diçka paralele duke i vënë emrin si duan ata. Ndoshta mund të krijojnë edhe dy tre gjëra, katër, pesë, shtatë gjëra kuvende të tjera paralele që njerëzit mos ta gjejnë veten se ku janë, pra të zhbëjnë atë që është bërë në shesh dhe në fund të ditës pastaj të arrijnë qëllimin që ta zhbëjnë protestën”, theksoi ai.

Sipas Binajt protesta nuk ka kokë dhe ky është suksesi i saj. Ai tha se ako ka ndryshuar formë gjatë ditëve, por vazhdon të mbështetet te pjesëmarrja qytetare, ndërsa shprehu vendosmërinë e tij për të vijuar të jetë pjesë e protestës.

“Protesta është një trup që merr frymë, fryhet dhe shfryhet, sepse përbëhet nga njerëzit. Unë besoj se qëndrimi në shesh është një përjetim që nuk vjen nëpërmjet ekranit. Protesta nuk ka kokë dhe në qoftë se unë jam këtu, unë jam përfaqësoj veten time. Unë jam dhe e kam vënë gjithë peshën time specifike artistike e tjerë me radhë në favor të protestës, sepse mendoj që këto kërkesa  janë të drejta. Ne nuk kemi përfaqësi dhe ky ka qenë dhe suksesi i jetëgjatësisë së kësaj proteste që nuk ka një kokë”, theksoi Binaj.

Florian Binaj theksoi se një nga arritjet kryesore të kësaj lëvizjeje është ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe ndërkombëtarizimi i problematikave që lidhen me zhvillimet në vend, veçanërisht dëmtimin e natyrës dhe zonave të mbrojtura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos