Kryedemokrati Sali Berisha në konferencën për media në selinë blu ka bërë me dije se në listën e kandidatëve të PD për deputetë, do të përfshihen edhe figura që përfaqësojnë shqiptarët e diasporës.
“Diaspora do ketë emra në listë. Nëse do ketë emra në listën e sigurtë apo jo, këtë unë nuk mund ta them, sepse nuk është përfunduar lista e sigurtë. Ka një moment që duhet të jemi realistë. Një forcë mazhore që ndërhyn në listë të sigurtë është koalicioni. Koalicioni përfaqëson, e them edhe njëherë, minimumi 26% të zgjedhësve të Shqipërisë. Mundet më shumë, por më pak jo, asnjëherë. Atëherë, padiskutim që ky koalicion me pothuaj 1/3 e zgjedhësve do ketë përfaqësimin në listat e mbyllura. Dhe ky, pastaj i jep listës së mbyllur një karakter më të veçantë. Pak a shumë, kjo është. 8 vende janë për aleatët, sepse aleatët në rekordin elektoral kanë minimumi 26% të zgjedhësve në Shqipëri”, tha Berisha.
Më tej, lideri i opozitës sqaroi se për fjalën për kandidaturat e ka pasur anëtarësia e PD, përmes skemës së Primareve.
“Fjalën për kandidaturat e kanë patur, siç e keni parë vet, anëtarësia e PD në primaret e organizuara në përgjegjësinë direkte të udhëheqësit të qarkut. Kjo është e vërteta. Asnjë kryetar qarku nuk ka patur asnjë ndërhyrje nga Sali Berisha apo kush tjetër, por ka qenë ai udhëheqës fuqiplotë i procesit të primareve mbi bazën e kritereve të caktuara. Kështu që, listat pak a shumë i kanë bërë anëtarët, propozimet”, deklaroi kreu i PD.
Berisha tha më tej se deri tani nuk ka asnjë listë kandidatësh, por në të do të ketë përfaqsim të gjerë të komuniteteve në çdo qark.
“Natyrisht, e kam theksuar, do ketë këto modifikime: gratë, është përcaktim statutor. Të rinjtë, është përcaktim statutor. Dhe e them këtu, përfaqësime, meqë jemi rajonal, ndonjëherë të komuniteteve, që për ndonjë arsye apo ndonjë tjetër nuk kanë pozicionin e duhur por që meritojnë përfaqësimin. Ata nuk mund të mbeten pa përfaqësim. Komunitetet e mëdha, sepse i krijon qarku këto. Pra, do jenë korrigjime fare të lehta. Do kenë korrigjime, sigurisht, kjo nuk mund të diksutohet, për këto arsye që thashë. Por, nga ana tjetër listat e PD i ka bërë anëtarësia. Kryetarët e qarqeve do jenë aty, do japin mendimet e tyre. Kryesia do vendosë. Nuk është në mënyrë absolute gjer sot asnjë listë e asnjë qarku e diskutuar apo e përfunduar, përveçse e atyre që ka bërë vet anëtarësia”, sqaroi lideri demokrat. (A2 Televizion)