
Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, shprehu bindjen se ambasadori i ri amerikan në vendin tonë, Eric Wendt, nuk është emëruar “për punë të vogla”.
“Një gjeneral i këtij rangu është një investim i madh. Nuk emërohet një gjeneral i tillë për punë të vogla, për arsye se një gjeneral në pension në Amerikë është shumë i kërkuar. Është i kërkuar nga ekonomia, nga universitetet, nga bizneset sepse janë një bagazh i madh përvoje dhe arsimimi. Në Amerikë bëhet luftë se kush i merr këta persona”, tha Lleshaj në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Në ekonomi, këta persona i gjen kudo nëpër korporatat e mëdha, nëpër borde dhe universitete. Fakti që këtë investim e kanë bërë në Shqipëri është shumë interesant. E mirëpres sepse një gjeneral flet një gjuhë tjetër, jo atë gjuhën e komplikuar diplomatike që shumë pak njerëz e kuptojnë”, shtoi ish-ministri i Brendshëm. (A2 Televizion)