Partitë politike në Kosovë kanë filluar me aderimet e reja në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dhjetorit. Përpos individëve, edhe parti “të vogla” po afrohen tek “të mëdhatë” në mënyrë që të garojnë së bashku.
Gjatë së martës, Lista për Familjen, një grupim i ish-deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e tetë, iu bashkuan Partisë Demokratike të Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza tha se janë të hapur edhe për të tjerë. “Sa i përket bashkëpunimit, ne jemi të hapur gjithmonë duke parë interesat e PDK-së, por duke respektuar edhe kërkesat dhe interesat e subjekteve tjera politike. Do të thotë, ne kemi treguar se kemi bërë hapje, kemi prurje të reja, njerëz të profesioneve të ndryshme, moshave të ndryshme, gjinive të ndryshme dhe sot e finalizuam edhe një marrëveshje me ‘Listën Familja’, që është një vlerë e shtuar jo vetëm për PDK-në, por unë jam i bindur se do të jetë për Kosovën”, tha Hamza.
Një tjetër koalicion i rëndësishëm, mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Nismës së Fatmir Limajt pritet të ndodhë ditëve në vijim. Palët janë duke diskutuar për çështje teknike meqë LDK insiston në një listë të vetme nën siglën e saj pa koalicione formale.
A2 CNN pyeti përfaqësues të Lidhjes demokratikë nëse Nisma i përshtatet ideologjisë dhe programit të kësaj partie.
“LDK mund ta them me përgjegjësi të plotë, është baza themelore e shtetit dhe demokracisë në këtë vend, nga viti 1989 e deri më sot. Çdokush që e ka nis luftën kundër aparatit shtetëror të okupimit serb e ka nis përmes LDK, dikush përmes forumit të rinisë dikush përmes luftës çlirimtare dhe dikush pas shtet-ndërtimit apo edhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovë”, tha për A2 CNN, Armend Zemaj nga LDK.
Partitë politike kanë kohë deri më 7 dhjetor të dorëzojnë listat me kandidatë për deputetë. (A2 Televizion)
