Deputeti i Partisë Socialiste, Adi Qose, u shpreh në “Off the Record” nga Andrea Danglli se rënia e numrit të studentëve në vend është e lehtë dhe nuk lidhet me një largim masiv të të rinjve nga Shqipëria.
Ai theksoi se lëvizja e popullsisë nga zonat rurale drejt qyteteve është një fenomen normal dhe i përhapur në të gjithë Europën. Sipas tij, aktualisht rreth 60–68% e popullsisë në Shqipëri jeton në qytete dhe kjo përqindje pritet të rritet në të ardhmen.
Qose argumentoi se të rinjtë largohen nga fshatrat drejt qyteteve për arsye zhvillimi, duke përmendur mundësitë më të mira për punësim, arsimim dhe një jetë më aktive sociale. Ai nënvizoi se kjo është një prirje e natyrshme që ndodh në çdo vend europian dhe nuk duhet parë si fenomen shqetësues.
‘‘Është një lëvizje shumë normale që të rinjtë lëvizin nga fshatrat drejt qytetit, sepse është normale, atje zhvillohet jeta, atje ka më shumë mundësi për punësim, kanë shkollimin e tyre dhe është normale. Kjo lëvizje ndodh në të gjithë Europën dhe unë realisht e besoj këtë gjë’’, u shpreh deputeti socialist.
Sa i përket emigrimit, Qose pranoi se një pjesë e të rinjve zgjedhin të largohen jashtë vendit, por ai theksoi se kjo mbetet një zgjedhje individuale dhe jo një fenomen masiv.
“Nuk është një lëvizje masive siç thuhet shpesh’’, përfundoi ai. (A2 Televizion)