Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Ilir Alimehmeti, deklaroi se numri i të punësuarve në pushtetin vendor është rritur ndjeshëm pas reformës territoriale, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e saj.
Gjatë një interviste në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Alimehmeti u shpreh se, ndonëse numri i bashkive u reduktua ndjeshëm dhe shumë komuna u bashkuan, kjo nuk u shoqërua me ulje të administratës vendore.
“Sipas asaj që kemi vënë re, numri i bashkive u ul, por numri i të punësuarve në pushtetin vendor nuk u ul, përkundrazi pothuajse u dyfishua. Realiteti nuk përputhet me premtimet e bëra në fillim të reformës”, tha ai.
Alimehmeti rikujtoi se në kohën e reformës territoriale ishte premtuar decentralizim, por sipas tij, reduktimi i njësive vendore nga mbi 300 në 61 përbën në fakt një centralizim të pushtetit.
“U tha se do të kishte decentralizim, por kur nga mbi 300 bashki e komuna kalon në 61, kjo është qartazi një formë centralizimi”, u shpreh ai.
Duke folur për nevojën e një reforme të re, Alimehmeti theksoi se sistemi duhet të jetë i orientuar drejt qytetarit dhe të garantojë akses më të afërt në shërbime.
“Jam për një sistem që i afron shërbimet te qytetari, qoftë në distancë apo në cilësi, pasi zona të ndryshme kanë nevoja të ndryshme”, tha ai.
Sipas tij, çdo draft për reformimin e pushtetit vendor duhet të shoqërohet me konsultime të gjera me qytetarët, dhe jo vetëm me ekspertë teknikë.
“Në radhë të parë duhet të flasim me njerëzit. Nuk janë qytetarët ata që merren me nene dhe pika ligjore, por ata kanë nevojë për shërbime konkrete pranë tyre”, përfundoi Alimehmeti. (A2 Televizion)