Jeta parlamentare i është rikthyer normalitetit. Pas marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe Partisë Demokratike, grupimi i Rithemelimit, Komisioni i Ligjeve ka zhvilluar një seancë normale. Deputetët demokratë kanë qenë të pranishëm fizikisht në sallë, pjesë e diskutimeve, dhe jo kaos apo sherr, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Deputetët demokratë shprehen se ky rikthim është një shenjë e mirë, megjithëse deputeti Dash Sula, u tregua më i ashpër në fjalimin e tij, duke thënë se nuk duhet shtirur sikur asgjë nuk ka ndodhur.
“Do i bënit shërbim të madh vendit, të kalonit në opozitë. Këtu jemi opozitë, duhet të garantohen të drejtat e opozitës, qytetarët na kanë votuar që të punojmë për ta, jo që të miratohen ligje klienteliste”, tha deputetja demokrate, Dhurata Çupi.
“Pas 5 muajsh për të folur për procedurë është normale dhe jam më shumë se sa i lumtur. Të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe me datën 18 mars të vijmë në Komision dhe të themi që ta fshijmë historinë e këtyre 5 muajve që kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, sa i përket funksionimit të parlamentetit, do mundohem që t’ua bëj të qartë të gjithëve që ky kthim në normalitet duhet të kishte ndodhur që më 5 tetor 2023, gjë që mazhoranca e bëri me dhunë e kokëfortësi dhe kjo marrëveshje që u arrit është një fakt i pastër sepse çfarë marrëveshje ka arritur PD-PS, atë që i takon opozitës në Kushtetutë”, tha Sula.
Jeta parlamentare u karakterizua nga kaosi, flakadanët, sherri, deputetë të përjashtuar të opozitës që prej 5 tetor 2023. Kjo ishte rruga që opozita ndoqi për shkak se mazhoranca nuk pranoi kërkesat e saj për ngritjen e Komisioneve Hetimore. Përgjatë këtyre 5 muajve, mazhoranca kaloi ligje me rëndësi siç ishte marrëveshja për emigrantët, ndryshimi i rregullores së Kuvendit, të ligjit për Komisionet Hetimore në seanca që kanë zgjatur jo më shumë se 10 minuta.
Pas 5 muajsh, PS-Rithemelimi arriti një marrëveshje, ndonëse jo të gjithë demokratët janë të kënaqur. Mes tyre edhe Lulzim Basha dhe grupimi i tij, i cili e quan "pazar". (A2 Televizion)