Gazetari Enver Robelli, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se aktualisht në Shqipëri nuk mund të ndodhë ajo që ndodhi në Hungari, pasi, sipas tij, “nuk shihet një figurë në opozitë që mund të mobilizojë masa të gjera të qytetarëve”.
“Në Shqipëri ndryshimi mund të vijë vetëm nëse shfaqet një figurë e re politike. Tani për tani, më shumë ka një menaxhim të “status quo”-së mes grupeve të ndryshme politike. Por, nuk shihet një figurë në opozitë që mund të mobilizojë masa të gjera të qytetarëve. Edhe në Hungari kështu ka qenë për një kohë të gjatë, derisa dikush brenda establishmentit u shfaq dhe tha “mjaft më!” Unë një figurë të tillë tani për tani nuk e shikoj në opozitën shqiptare”, tha Robelli.
“Nuk shoh as në Partinë Socialiste një figurë me potencial për të sfiduar kryeministrin aktual, përkundër aferave korruptive me të cilat përballet Shqipëria në vitet e fundit”, shtoi Robelli. (A2 Televizion)