Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Marlind Laçi ka paralajmëruar se erëra konfliktesh po fryjnë tanimë në Ballkan.
I ftuar në emisionin “Off the Record” të gazetarit Andrea Danglli në A2CNN, Laçi komentoi protestën e studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkojnë zhvillimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Sipas tij, klima politike në rajon po tensionohet gjithnjë e më shumë, ndërsa nacionalizmi po rikthehet fuqishëm në disa vende të Ballkanit. Laçi tha se ndërkombëtarët e lejojnë nacionalizmin në disa vende të rajonit, por jo kur bëhet fjalë për shqiptarët.
“Gjykoj se po fryjnë erëra konfliktesh në Ballkan. Ballkani s’është më aq i qetë saç mund të ishte të paktën për 10 apo 15 vite. Ka hyrë edhe një herë në modë nacionalizmi radikal, ekspansionist, siç është nacionalizmi i Hristijan Mickoskit. Duket sikur edhe vetë ndërkombëtarët e tolerojnë nacionalizmin, qoftë në Serbi, qoftë në Kroaci, qoftë në Mal të Zi, vetëm për shqiptarët ky lloj nacionalizmi nuk tolerohet. Nuk lejohet as nacionalizmi mbrojtës”, tha eksperti.
(A2 Televizion)