"Partitë opozitare të bashkohen" Nebijaj: Kryetarët të dilnin krah për krahu në protesta, të jepnin mesazhin e fortë

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2025, 21:11 | Politikë

Ish-deputetja e PD-së Oriela Nebijaj ka bërë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave opozitare, duke theksuar se momenti aktual kërkon një reagim të fortë dhe të përbashkët politik. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ajo theksoi se vendi ka nivelin më të lartë të korrupsionit dhe duhet veprim dhe reagim konkret.

“Si mund të jetë një strategji edhe më e mirë? Për mendimin tim që të gjitha opozitat siç u bënë bashkë për kandidatin e bashkisë, të bëheshim bashkë edhe në këtë moment, ku për mua misioni është pak më historik, sesa ardhja e njërit apo tjetrit në pushtet”, tha Nebiaj në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ajo u shpreh se kryetarët e partive opozitare duhej të dilnin krah për krah në protesta për të dhënë një mesazh të qartë për qytetarët, duke lënë mënjanë interesat personale apo garën për pushtet.

“Njeriu sidomos kur hyn në politikë e bën edhe një gjë që s'lidhet drejtpërdrejtë me interesin e vet, por përderisa s'ndodh, kam përshtypjen që kjo është arsyeja pse nuk ndodh. Duhet të bëheshin bashkë edhe dilnin atje të katërt krahë për krahu dhe të thonin ja ku jemi, hajdeni na u bashkoni. Nuk ka rëndësi pushteti, ka rëndësi që ky pushtet ka vajtur aty ku s'mban më. Kaq. Qytetarët mund të ishin treguar më të gatshëm për të reaguar”, theksoi ajo në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Nebiaj theksoi se mungesa e bashkimit ka qenë arsyeja kryesore pse opozita ka ngecur dhe pse qytetarët nuk janë ndjerë të përfaqësuar sa duhet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos