Pas dekretimit ministrat e rinj mbërrijnë në Kuvend, sot votohen ndryshimet në qeveri

Nga A2 CNN
5 Mars 2026, 10:11 | Politikë

Pas dekretimit ministrat e rinj mbërrijnë në Kuvend, sot votohen

Ermal Nufi, Enea Karakaçi, Ferit Hoxha, kanë mbërritur sot në Kuvend, ku pritet të votohen për të marrë zyrtarisht postet ministrore, një ditë pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj, raporton A2CNN. 

Pas votimit në Kuvend, ministrat e rinj do të duhet të paraqiten edhe një herë në zyrën e Bajram Begajt përpara se sa të nisin zyrtarisht detyrën.

Betimi në Kushtetutë është hapi i fundit procedura që jep dritën jeshile ministrave që të hyjnë në zyrë. Vullneti i Edi Ramës për të ndryshuar kabinetin qeveritar nuk u vu në dyshim nga Bajram Begaj i cili 48 orë pasi takoi kryeministrin, dekretoi ndryshimet. 

Kësisoj, sipas këtyre ndryshimeve, Belinda Balluku dorëzon të dyja pozicionet në Këshillin e Ministrave, ku atë të zëvendëskryeministres e merr Albana Koçiu, ndërsa Ministër për Infrastrukturën dhe Energjinë bëhet Enea Karanaçi.

Pirro Vëngu dhe Elisa Spiropali largohen nga qeveria, ku Ministrinë e Mbrojtjes e merr Erman Nufi ndërsa Punët e Jashtme diplomati Ferit Hoxha. Pjesë të ndryshimeve qeveritare ishin edhe rokadat e brendshme kur Besfort Lamallari i dorëzon Toni Gogut Ministrinë e Drejtësisë për të marrë Ministrinë e Brendshme.

Ndërsa Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin do ta drejtojë Erjona Ismalili. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos