Demokratët kanë dalë kundër propozimeve të Partisë Socialiste për rregulloren e re të Kuvendit. Një ditë pasi shumica depozitoi në Kuvend draftin, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, thotë se rregullorja “nuk është Statuti i PS, që ndryshohet çdo muaj sipas vullnetit të vetëm një partie politike”.
Sipas tij ndryshime të tilla kërkojnë konsensus pasi rregullorja është ligji që garanton bashkëjetesën e të gjitha forcave politike.
“Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njëanshme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit”, shkruan Bardhi në mediat sociale.
Sipas demokratit, PS po nxit përmes veprimeve të njëanshme, defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj për të ushtruar rolin e vet në një shoqëri demokratike.
(A2 Televizion)