Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, gazetari Fatos Çoçoli dhe këshilltari i Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, patën një debat të fortë mbi rritjen e çmimit të naftës.
Teliti: Fuqizimi i monedhës kombëtare, në mënyrë të pashpjegueshme kthehet në negativitet për ekonominë. Kjo ka shpjegim dhe ta thonë teoritë ekonomike. Janë paratë e pista.
Çoçoli: Janë paratë nga turizmi.
Teliti: Po lëri paratë e turizmit. Se byrek po hanë turistët. Pra, ekonomia shqiptare e vitit 2026 qenka byrek dhe vaj ulliri. Bravo të qoftë!
Çoçoli: Çfarë te keqe ka të eksportosh vajin e ullirit, të eksportosh domaten?
Teliti: Sa i përket naftës, në këtë Shqipëri kjo problematika e naftës që rritet ka vetëm një faj, që është taksa e korrupsionit. Zotëri, i kemi sot inspektoratet të cilat janë në terren që duhet ta bëjnë detyrën, por kemi mbi të gjitha një Autoritet Konkurrence, i cili duhet të parandalojë dhe më pas nëqoftëse nuk e parandalon, ta ndalojë të paktën kur verifikohet, marrëveshjen midis operatorëve të ndryshëm për të bllokuar çmimet në një sector. Dhe fakti që neve shkuam dhe atëherë në çmimin 270 lekë, ishte tërësisht marrëveshje oligopoli në sektorin e hidrokarbureve, ku 3-4 importues ranë dakord me njëri-tjetrin. Këtu duhet të ndërhyjë Autoriteti i Konkurrencës, të bëjë detyrën e vet se nuk e ka bërë.
Çoçoli: Se ia ke rruajtur mjekrën.
Teliti: Ja rruajti qeveria. Mos u kthe nga ne, jemi opozitë. Ne si opozitë i kemi bërë katër iniciativa. Kemi bërë katër iniciativa, të katërta të hedhura poshtë me votat e mazhorancës. Mos bëj zhurmuesin. Katër iniciativa në Kuvendin e Shqipërisë përsa i përket Autoritetit të Konkurrencës, për ta fuqizuar atë, ndonëse është tërësisht me përfaqësues të majtë. Por, për hirë të kombit dhe të vendit e bëmë iniciativën. Katër iniciativa të hedhura poshtë. Institucionet dhe inspektorët shkojnë atje në terren dhe shohin dhe i konstatojnë problematikat, i raportojnë një pjesë prej tyre, një pjesë jo, sepse është taksa e korrupsionit dhe ata të mëdhenjtë pastaj qajnë lart dhe ulen në tryeza me këta importuesit duke pirë dhe vera të shtrenjta, edhe vendosin sa do jetë çmimi në kurriz të shqiptarëve. Kjo gjë është e parandalueshme.
Çoçoli: Marrëveshjet duhen luftuar, me ty jam. Por, ama, jo me teori konspirative.
Teliti: A duhet të kishte kjo ekonomi rafinerinë e vet? Po, duhet të kishte.
Çoçoli: Kush kontribuoi që rafineria të shkonte në agoni? Forca juaj politike.
Teliti: Mos zhurmo! Mos zhurmo, se jemi 13 vjet në opozitë. Drejto gishtin drejt fajtorit! O zotëri, qytetarët që paguajnë naftën dhe s'kanë bukë te shtëpia, duan ta dëgjojnë këtë gjë. Që ka nevojë kjo ekonomi për rafinerinë e vet, ka. Por, për ta bërë duhen qindra miliona euro. Ndërkohë që sot, për 3 ditë, nëse ka vullnet politik, të siguroj që xhap bën tregu i hidrokarbureve dhe ajo marrëveshje oligopoli bie. Debatin e pranoj unë, zhurmën jo.
Çoçoli: Debati zhurmë është.
Teliti: Unë flas nafta, ai thotë vaji i ullirit; unë flas nafta, ai thotë byreku. Nuk është debat ky. Ore zotëri, po të rritet çmimi i naftës, do ketë kosto çdo familje shqiptare, do ketë kosto te biletat e autobuzit, do ketë kosto te biletat e furgonave, do ketë kosto tek maunet që lëvizin.
Çoçoli: Për sa? Për konfliktin që do zgjasi 4 javë?
Teliti: Po pse, ulet menjëherë çmimi mbrapa? Po ku ka atë fuqi qeverisja. Nuk u ulën çmimet pas vitit 2022.
(A2 Televizion)