Pas deputetëve, Rama thërret edhe drejtuesit e njësive administrative të Tiranës në mbledhje

Nga A2 CNN
4 Mars 2026, 16:48 | Politikë

Pas deputetëve, Rama thërret edhe drejtuesit e njësive

Ditën e nesërme, në Partinë Socialiste do të mbahet një takim me drejtuesit e njësive administrative të Tiranës. Burime për A2 CNN bëjnë me dije se mbledhja do të zhvillohet në orën 09:00.

Ndërkohë, ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me deputetët e qarkut të Tiranës. Mësohet se ai u ka kërkuar përfaqësuesve të dalin më shpesh në terren për të takuar qytetarët, si dhe të forcojnë organizimin e brendshëm.

Deputetët dhe ish-deputetët do të duhet të koordinohen me Bashkinë e Tiranës për evidentimin e problematikave, të cilat më pas do të raportohen në mbledhjet përkatëse.

Burime për A2 CNN tregojnë se Rama ka kërkuar më shumë angazhim nga të gjithë, veçanërisht nga Bashkia e Tiranës, sidomos sa i përket menaxhimit të hapësirave publike.

Raportohet se Kryeministri u është drejtuar të pranishmëve me fjalët: “U kam thënë se mungesa e kryetarit të zgjedhur do të jetë një problem, por ju nuk e keni marrë shumë seriozisht në atë kohë”.

Gjithashtu, pritet të ngrihet një grup pune nën drejtimin e Ogerta Manastirliu për të identifikuar të gjitha problematikat dhe për t’i raportuar ato në mbledhjet e ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos