Sali Berisha nuk mendon se miratimi i IBAR ishte një humbje e opozitës, por e Edi Ramës. Në një konferencë për mediat Berisha deklaroi se kërkesat për Shqipërinë janë shtuar ndjeshëm nga Shkurti tani në Maj. Sipas tij është ndërhyrë në strukturën e dokumentit, duke rritur kërkesat.
“Në maj kërkohet zbatim në kohë dhe efektiv në prag të zgjedhjeve të të gjitha kërkesave të OSBE/ODIHR. Pra, në qoftë se ajo ishte me gjuhë të pambuktë, hiqen dorezat dhe i përplasen të gjitha Edi Ramës. Bëhet presion kohor i qartë lidhur me zgjedhjet e ardhshme”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Sali Berisha u ndal gjatë edhe te përafrimi i ligjeve me Bashkimin Evropian, duke mbështetur kërkesën e raportit të IBAR që nuk duhet të ketë procedurë të përshpejtuar. “Përafrimi me acquis kërkon një proces të plotë me kohë të mjaftueshme për konsultime substanciale. Pra, Niko Peleshi del kryetari më qesharak i parlamentit në Evropë. Kryetari kukull i një parlamenti në Evropë, që votonte ligjet e kërkuara nga BE pa debat, pa kontroll, pa asgjë”.
Lideri opozitar kërkoi më shumë vëmendje për sistemin e drejtësisë dhe citoi gjetjet e raportit që shprehte shqetësimet edhe për Vettingun. “BE mirëpret rezultatet e mira të arritura gjer tani nga SPAK dhe gjykatat e tij përfshi rastet e korrupsionit në nivelet e larta. Besoj se më shqip nuk mund të fliste”.
Sipas tij, ky raport i jep të drejtë opozitës edhe për kërkesën e saj për qeveri teknike. “Kërkon zgjedhjet plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Me Edi Ramë nuk zgjedhje, ndaj dhe krijimi i qeverisë teknike, këtu nuk thuhet, por e drejta e atyre që luftojnë për zgjedhje plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR është legjitime”.
I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e Edi Ramës se ky raport është fitore për qeverinë dhe humbje për opozitën, Berisha tha se ndryshimet që iu bënë IBAR janë një fitore për të gjithë shqiptarët. (A2 Televizion)