PD e cilësoi si shitës të kauzave, Alibeaj: Berishës i kam thënë që PD-në se sjell më në pushtet, e ka kthyer si Partia e Punës

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2025, 22:41 | Politikë

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar ashpër pasi në festën e 35-vjetorit të Partisë Demokratike figura e tij u paraqit si një shitës i kauzave opozitare.

Në studion e emisionit ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, Alibeaj është shprehur se PD ka degraduar keq dhe është kthyer si Partia e Punës, duke u përpjekur të ‘mbysë’ çdo lëvizje tjetër opozitare.

Alibeaj zbuloi gjatë diskutimit edhe bisedën e fundit me Sali Berishën në selinë e PD-së, ku pretendoi se i kishte thënë atij “ti nuk e sjell dot më PD-në në pushtet”.

Sipas Alibeajt, PD me Sali Berishën në krye bën pazare me kryeministrin Edi Rama, me qëllim që t’u shpëtojnë drejtësisë.

“Mendo se ku ka degraduar PD. Unë jam tradhtari domethënë i kauzave të tyre. E di çfarë i kam thënë unë Sali Berishës kur erdhi në seli apo jo? ‘Ti nuk e sjell më PD-në në pushtet’. Dhe ja ku është sot, bar po hanë dhe po i merr në qafë jo vetëm demokratët e ngratë, por është bërë pengesë edhe për zhvillime të tjera opozitare, me pazaret që bën me Edi Ramën.

Partia e cila lindi si shpresë dhe si shenja e parë e pluralizmit, është kthyer sot si Partia e Punës. Godet këdo nga lëvizjet e reja, të vogla, të brishta. E fundit është kjo e Ervin Salianjit. Keni parë furinë e madhe, ka mbledhur të gjithë si… E di ça më kujton apo jo? Vullnetarët e Enverit më kujton. Këtu ka degraduar në drejtimin e Sali Berishës”, tha mes të tjerash Alibeaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos