Demokratët vijuan akuzat ndaj mazhorancës për mosautorizimin e arrestit të Belinda Ballukut. Gazment Bardhi kishte hedhur në letër fjalën e Edi Ramës, të cilën doli ta kundërshtonte duke nënvizuar se argumentet e përdorura për të dalë kundër SPAK nuk qëndronin.
“Kryeministri po përpiqet të fshehë një të vërtetë shumë të thjeshtë. Vendimi për të bllokuar kërkesën e SPAK nuk u mor sepse provat ishin të dobëta, por sepse provat çojnë herët apo vonë tek vetë Edi Rama. Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16.000 faqe, por 166.000 faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim”, tha ai, përcjell A2 CNN
Përpara kamerave ai bëri një krahasim ndërmjet dy dosjeve hetimore të dy ish-zëvendëskryeministrave të fundit të Edi Ramës, Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku, që të dy nën akuzë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
“Çështja e Ben Ahmetajt është 1/200-ta e provave që kanë ardhur për Belinda Ballukun. Unë jam anëtar i Këshillit të Mandateve, i kam shqyrtuar të dyja çështjet. Atje kishte indicie, këtu ka prova; atje kishte të dhëna dhe dyshime, këtu ka prova që provojnë kryerjen 11 herë të veprës penale nga Belinda Balluku”.
Relativizimi i dosjes hetimore nga ana e Edi Rama ishte një pikë që ishte mbajtur shënim. “Dua t’ju konfirmoj, të dashur bashkëqytetarë, që nuk është e vërtetë se prokuroria ka sjellë në Kuvend vetëm arkivën e Ministrisë së Infrastrukturës. Prokuroria ka sjellë me mijëra faqe përgjime”.
Një përgjigje pati edhe për tezën socialiste se burgjet janë mbushur me të paraburgosur. “Në dhjetor të vitit 2014, kur Edi Rama ju mashtronte se po bënte shtet, një kryefamiljar në varfëri ekstreme u burgos sepse nuk paguante dot energjinë elektrike. Ishte koha kur Edi Rama fuste në burg këdo dhe nuk shqetësohej, si sot, për mbingarkesën e qelive të paraburgimit”, tha Bardhi.
Dy raportet e Këshillit të Mandateve do të shkojnë për votim të enjten në seancë plenare, ku Gazment Bardhi do të mungojë për shkak se është i përjashtuar. “Personalisht, bashkë me zotin Klevis Balliu, do të jemi në pamundësi për të qenë në seancë për shkak të këtij vendimi politik. Do të jemi me qytetarët përpara Kuvendi i Shqipërisë”, tha ai. (A2 Televizion)