Qëndrimi i PS-së për Ballukun, reagon Bardhi: Vendimi i paracaktuar dhe politik, jo juridik

Nga A2 CNN
10 Mars 2026, 11:55 | Politikë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas qëndrimit të socialistëve për Belinda Ballukun, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se është kthyer në mbrojtës politik të korrupsionit.

Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se vendimi për të refuzuar kërkesën e SPAK nuk është juridik, por politik dhe i paracaktuar.

“Shikojeni Edi Ramën ai që është në të vërtetë, një mbrojtës politik i korrupsionit, të cilit tani i ka rënë maska 10-vjeçare e arkitektit të reformës në drejtësi. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se vendimi i Edi Ramës për t’u bërë avokat i korrupsionit nuk është marrë dje. Ky vendim nuk ka asnjë lidhje me ndonjë fakt juridik, sepse provat janë aty. Ky është një vendim politik i marrë që ditën e parë të ngritjes së akuzës. Është një vendim i paracaktuar, njësoj si tenderat për të cilat është marrë e pandehur dhe po hetohet Belinda Balluku. Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16 mijë faqe, por 166 mijë faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim. Sepse ky nuk ishte një vendim juridik. Ishte një vendim politik për të mbrojtur pushtetin e tij, veten e tij”, deklaroi Bardhi.

Sipas Bardhit, në dosjen hetimore ekzistojnë mijëra mesazhe mes Ballukut dhe vartësve të saj, të cilat sipas tij tregojnë ndërhyrje të paligjshme në procedurat e tenderave për të favorizuar kompani të caktuara.

“Të gjithë e pamë se Edi Rama përgojoi këdo dhe bëri pis gjithçka që e çon drejtësinë nga Belinda tek ai vetë, por në 80 minuta fjalim ai nuk përmendi asnjëherë provat reale të Prokurorisë së Posaçme. Janë me mijëra mesazhe të Belinda Ballukut me vartësit e saj ku ajo ndërhyn në tendera në mënyrë të paligjshme për të favorizuar një kompani, ose për t’ia hequr të drejtën një kompanie tjetër”.

Bardhi theksoi se këto prova, sipas tij, janë arsyeja pse kryeministri po kundërshton kërkesën për arrestimin e Ballukut.

“Janë këto mesazhe që e mbajnë peng Edi Ramën. Janë këto mesazhe që shpjegojnë edhe frikën e tij sot. Është sistemi korruptiv që ai ka krijuar, i cili e detyron të dalë hapur kundër SPAK-ut. Jo se iu hap barku për Belinda Ballukun. Jam i bindur se do të donte një mijë herë të shpëtonte prej saj. Por Edi Rama po refuzon arrestimin e saj dhe po linçon prokurorin, në mënyrë që SPAK-ut të mos i shkojë ndër mend më të kërkojë arrestime të tjera apo, akoma më keq, të mos kërkojë arrestimin e vetë Edi Ramës. Kryeministri po përpiqet të fshehë një të vërtetë shumë të thjeshtë. Vendimi për të bllokuar kërkesën e SPAK nuk u mor sepse provat ishin të dobëta, por sepse provat të çojnë, herët a vonë, tek Edi Rama”.

Ai theksoi se në një shtet ligjor askush nuk duhet të mbrohet nga drejtësia për shkak të pushtetit që mban dhe se parlamenti nuk duhet të përdoret si mburojë politike kundër drejtësisë.

“Parimi europian që Edi Rama dështoi ta përmbushë në këtë rast është shumë i thjeshtë: në një shtet ligjor askush nuk duhet të mbrohet nga drejtësia për shkak të pushtetit që ka. Shqipëria nuk ka nevojë për një Parlament që përdoret si mburojë politike kundër drejtësisë. Shqipëria ka nevojë për institucione që garantojnë barazinë para ligjit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos