
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka reaguar pas njoftimit të PD për të bojkotuar seancën plenare të nesërme në Kuvendi i Shqipërisë.
Balla theksoi se bojkotimi i opozitës është i pabazuar, duke shtuar se seanca e martë, 17 mars 2026, është propozuar që më 18 shkurt 2026 në Konferencën e Kryetarëve dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare një muaj më parë.
Ai i cilësoi si të pavërteta pretendimet se seanca është thirrur në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.
Reagimi i Ballës
Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.
Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni. Gjithashtu qenka thënë se seanca është thirrur në kundërshim me Rregulloren. Gënjeshtër!
Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë. (A2 Televizion)